13.8 C
Skopje
Tuesday, October 7, 2025

Fushata/ Fëmijët keqpërdoren për promovim

Në prag të zgjedhjeve, videot dhe fotografitë e fëmijëve po bëhen gjithnjë e më të pranishme në materialet promovuese të partive politike.

Nga spotet televizive e deri te postimet në rrjete sociale, fëmijët shfaqen si simbol të pastërtisë, shpresës apo të ardhmes, por shpesh pa pëlqimin e tyre të ndërgjegjshëm apo, ka raste, edhe pa prezencën e prindërve.

Politikanë me fytyra miqësore dhe të dashur me fëmijët, të buzëqeshur, të përqafuar ose duke shtrënguar duart e të vegjëlve. Përfaqësuesit politikë nëpërmjet këtyre pamjeve, e pasqyrojnë veten si shembull që këto fëmijë duan të ndjekin dhe si zgjidhja më e mirë për të ardhmen e tyre.

Megjithatë, përballë kanë fëmijët të cilët nuk janë të vetëdijshëm për rrethanat ku gjinden ose qëllimin për të cilin janë aty.

Keqpërdorimi i tyre në disa raste bëhet edhe me miratimin e prindërve ose të afërmve, të cilët i marrin fëmijët si shoqërues në tubime politike, duke shpresuar për një fotografi me liderin idol të vetë prindit.

Një praktikë e tillë bie ndesh me ligjet vendase, si ato për zgjedhjet, po ashtu edhe me ligjin për mbrojtjen e fëmijëve.

“Ndalohet keqpërdorimi i fëmijëve për veprime të organizuara politike ose fetare” , thotë Ligji për mbrojtjen e fëmijëve.

“Nuk lejohet pjesëmarrja e të miturve për program të paguar politik” , thotë Kodi zgjedhor.

Por edhe me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve të OKB-së, veçanërisht me nenin 36, shtetit detyrohet të mbrojnë fëmijët nga çdo formë e shfrytëzimit që mund të dëmtojë mirëqenien e tyre.

“Aktorët shtetëror duhet të mbrojnë fëmijët nga të gjitha format e shfrytëzimit të dëmshëm në të gjitha aspektet e mirëqenies së fëmijës”, thuhet në Konventa për të drejtat e fëmijëve, Artikulli 36.

Shkeljet e këtilla vërehen dhe regjistrohen nga organizatat vendase mirëpo asnjëherë nuk ndëshkohen nga institucionet e drejtësisë.

Ditë më parë, praktikën e përsëritur të keqpërdorimit të fëmijëve për fushatë e konstatoi edhe Qendra për Liri “Civil”.

“CIVIL edhe një herë u bën thirrje institucioneve, partive, mediave dhe prindërve: të ndalojnë menjëherë përfshirjen e fëmijëve në politikë. Institucionet duhet të reagojnë me sanksione vendimtare kundër të gjithë atyre që përpiqen t’i përdorin fëmijët për qëllimet e tyre politike. Mbrojtja e fëmijëve është një detyrim ligjor dhe abuzimi duhet të ndalet menjëherë!”, thonë nga Qendra për liri, “Civil”.

Përdorimi i imazhit të fëmijëve për qëllime politike konsiderohet formë e shfrytëzimit emocional dhe manipulimit publik.

Fëmijët, pa u respektuar dinjiteti dhe privatësia e tyre, përdoren si mjete propagandistike në betejat politike të të rriturve, sigurisht, pa qenë të vetëdijshëm për përfshirjen e tyre politike, në një moshë kur janë shumë larg nga e drejta e tyre e votës dhe përcaktimi politik që do të ndjekin në të ardhmen. / Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit