Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, pasi numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 151.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 30 gusht 2026 janë regjistruar gjithsej 151 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar edhe katër raste të reja.
Nga Instituti theksojnë se më shumë se 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, duke nënvizuar rëndësinë e vaksinimit për mbrojtjen e fëmijëve.
Përveç vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar edhe vaksinimin e vonuar, të njohur si “catch-up”, për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar me kohë.
“Gjatë këtij viti, rreth 2,500 fëmijë të grup-moshës 2–5 vjeç janë vaksinuar përmes vaksinimit catch-up, duke dëshmuar angazhimin e prindërve për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve të tyre”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Instituti ka vlerësuar pozitivisht angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve në rritjen e përfshirjes në vaksinim dhe parandalimin e përhapjes së fruthit.






