13.8 C
Skopje
Monday, November 3, 2025

FRASH denoncon deshqiptarizimin e administratës: Vetëm 2 shqiptarë në 205 punësime të fundit

Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët (FRASH) ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan, procesit të vazhdueshëm të deshqiptarizimit të administratës publike në Maqedoninë e Veriut. Në një deklaratë për media, FRASH shpreh shqetësimin dhe revoltën e thellë për diskriminimin sistematik dhe të qëllimshëm ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Sipas të dhënave të publikuara, nga gjithsej 205 punësime dhe avancime të fundit në institucione si Enti i Statistikave, Arkivi Shtetëror, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Ministria e Kulturës, Dogana, REK Manastir dhe të tjera, vetëm 2 shqiptarë janë punësuar apo avancuar, në krahasim me 203 maqedonas. Ky disproporcion, sipas FRASH, është tregues i qartë i një politike të dirigjuar për të zbehur përfaqësimin shqiptar në administratë.

Forumi fajëson drejtpërdrejt edhe Zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, për mosveprim dhe mungesë reagimi ndaj kësaj situate diskriminuese. “Një zëvendëskryeministër që nuk reagon kur shqiptarët përjashtohen nga institucionet, nuk i përfaqëson shqiptarët”, thuhet në deklaratë.

FRASH u bën thirrje të rinjve shqiptarë të mos e pranojnë heshtjen si normalitet dhe të reagojnë me mjete demokratike kundër këtij procesi që cilësohet si antishqiptar dhe antievropian. Organizata kërkon transparencë, përfaqësim real dhe barazi të plotë në çdo institucion shtetëror.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit