9.8 C
Skopje
Saturday, December 13, 2025

Franca bllokon anëtarësimin e Malit të Zi në BE? Vijesti: Frenon avancimi në 2 kapituj!

Mali i Zi rrezikon të mbyllë vetëm tre nga pesë kapitujt e planifikuar të negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit, e kjo, për shkak se pasi Franca ka bllokuar avancimin e dy kapitujve kyç në procesin e integrimit europian të këtij vendi.

Burime për “Vijesti” bënë me dije se përfaqësuesit francezë në grupet e punës së BE-së kanë kundërshtuar heqjen nga lista të kapitullit 11, që lidhet me bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe kapitullit 13 për peshkimin. Qëndrimi i Parisit u bë i ditur në mbledhjen e Grupit të Punës së Këshillit të BE-së, që u zhvillua një ditë më parë.

Vendimi, sipas të njëjtës gazetë, u konfirmua më pas edhe në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare, duke frenuar kështu pritshmëritë e Podgoricës për një progres më të shpejtë këtë vit. Sipas informacioneve jozyrtare, delegacioni francez ka argumentuar se kapitujt 11 dhe 13 nuk janë ende të gatshëm për t’u mbyllur, me pretendimin se ato nuk përputhen plotësisht me standardet e BE-së, pa ofruar sakaq shpjegime konkrete për këto vërejtje.

Pas përfundimit të diskutimeve, çështja kalon në fazën e radhës – konferencën ndërqeveritare në nivel ministror, ku pritet që të mbyllen përfundimisht vetëm tre kapituj: kapitulli 3, që ka të bëjë me të drejtën e themelimit të ndërmarrjeve dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve; kapitulli 4 për lirinë e lëvizjes së kapitalit; si dhe kapitulli 6, që lidhet me të drejtën tregtare. Edhe pse teorikisht ekziston mundësia që vendimi i Francës të rishqyrtohet në nivel ministror, burimet diplomatike vlerësojnë se gjasat për një ndryshim janë minimale.

Mali i Zi i nisi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 29 qershor 2012. Që prej asaj kohe, Podgorica ka hapur të gjithë kapitujt negociues (33) dhe ka mbyllur përkohësisht shtatë prej tyre – tre në fund të vitit të kaluar dhe një tjetër në qershor të këtij viti.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit