Foshnjat ndjejnë ritmin e muzikës që në ditët e para, edhe kur luhet Bach

Një studim i ri shkencor sugjeron se foshnjat mund të kenë ndjenjë për ritmin muzikor që në ditët e para pas lindjes. Hulumtimi tregon se edhe foshnjat vetëm dyditëshe janë në gjendje të perceptojnë kohën ritmike të muzikës, ndonëse aftësia për të kuptuar melodinë zhvillohet më vonë.

Studimi, i publikuar në revistën PLOS Biology, zbulon se truri i të porsalindurve mund të parashikojë modelet ritmike në muzikë, madje edhe kur ata janë në gjumë.

Studiuesit nga Instituti Italian i Teknologjisë testuan 49 foshnja të porsalindura duke u luajtur sonata për piano të Johann Sebastian Bach. Aktiviteti i trurit të tyre u regjistrua përmes elektroencefalografisë (EEG). Më pas, studiuesit luajtën versione të çrregulluara të së njëjtës muzikë, ku struktura ritmike ishte ndryshuar, transmeton KultPlus.

Rezultatet treguan se truri i foshnjave reagonte kur zbulonte një ndryshim në ritëm, por jo kur prishej modeli melodik. Sipas autores kryesore të studimit, Roberta Bianco, kjo tregon se ndjenja për ritmin është e pranishme që në lindje dhe mund të jetë një predispozitë biologjike, ndërsa perceptimi i melodisë zhvillohet më vonë përmes përvojës dhe të mësuarit.

Studiuesit sugjerojnë se perceptimi i ritmit mund të ketë lidhje me instinktin e mbijetesës. Sipas tyre, sistemi i dëgjimit funksionon si një mekanizëm paralajmërues i trurit, duke identifikuar rregullsitë në mjedis edhe gjatë gjumit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit