Fondacioni Jahjaga ka shënuar një hap të rëndësishëm në fushën e sigurisë me lansimin e Rrjetit të Grave në Sektorin e Sigurisë në Kosovë, një nismë që synon fuqizimin e rolit të grave në institucionet e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit profesional ndërinstitucional.
Ky projekt, i mbështetur nga Mbretëria e Holandës, u formalizua përmes nënshkrimit të memorandumeve të mirëkuptimit ndërmjet Fondacionit Jahjaga, të përfaqësuar nga drejtoresha ekzekutive Bexheti, dhe institucioneve kyçe të sigurisë në vend: Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Nisma është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Fondacionit Jahjaga për Agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, në përputhje me Rezolutën 1325 të Kombeve të Bashkuara. Ajo realizohet me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës përmes Fondit MATRA dhe Human Rights Fund, si dhe në bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, përcjellë KultPlus.
Rrjeti synon të krijojë një platformë për bashkëpunim profesional, shkëmbim përvojash dhe fuqizim të rolit të grave brenda institucioneve të sigurisë në Kosovë.
Me këtë rast, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka shprehur mirënjohje të veçantë për Mbretërinë e Holandës për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për të gjitha institucionet partnere për gatishmërinë dhe bashkëpunimin në realizimin e kësaj iniciative.
Ajo ka theksuar se bashkëpunimi i përbashkët është kyç për ndryshimin e qëndrueshëm, duke nënvizuar se forcimi i grave kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e institucioneve dhe sigurisë së Kosovës./KultPlus.com



