Gazetar: Avni Tahiri
Specat e trangujt 200 denarë për kilogram, domatet 150 denarë, lakra 80 denarë, një marule 40 denarë. Këto janë çmimet në treg, një ditë para fillimit të muajit të Ramazanit.
Qytetarët ankohen se këtë vit çmimet janë dukshëm më të larta krahasuar me vitin e kaluar. Thonë se për shumë familje përgatitja e iftarit përbën sfidë, për shkak të shtrenjtimit të produkteve ushqimore.
“Shumë shtrenjtë. A kanë dallim çmimet nga Ramazani i vitit të kaluar? Ka dallime sigurisht, mollët ishin vjet 50 denarë ndërsa tani janë 70 denarë por populli duhet të ushqehet dhe sigurisht duhet të blejë. Një kilogram mish vjet ishte 7 euro tani është 20 euro, shumë shtrenjtë”, tha një qytetar.
“Për çdo xhep nuk janë por për ndonjë që ka më shumë çmimet janë në rregull por për disa është e vështirë”, u shpreh një qytetar tjetër.
Nga ana tjetër, edhe shitësit pranojnë se çmimet janë më të larta, por theksojnë se rritja e disa produkteve lidhet kryesisht me artikuj të importuar nga shtete të huaja.
“Çmimet janë më të larta por ka edhe shitje të mirë si nga këtu edhe blerës nga Kosova, Çfarë thuan për çmimet, ankohen? Ka disa që ankohen, ato që e kanë xhepin e dobët e ai që ka para nuk e diskuton çmimin. Për dallim nga viti i kaluar këtë vit çmimet janë më të larta”, tha një shitëse.
“Çmimet varen nga shitja me shumicë dhe mendoj se janë si vitin e kaluar dhe mendoj se janë të përballueshme por varet kush sa e ka buxhetin”, u shpreh një shitës.
Dallimi i çmimeve nga viti i kaluar është vërejtur edhe në menytë e restoranteve me ofertat për iftare. Vitin e kaluar shumë restorante ofronin meny iftari me një çmim mesatar prej 800 deri në 1000 denarë, ndërsa këtë vit çmimet fillojnë nga 1,200 deri në 1,600 denarë për person. / Alsat.mk



