Florida Doçi në kopertinën e “Whoman Canada”, shqiptarja që po formëson të ardhmen e inteligjencës artificiale

Në numrin më të ri të revistës “Whoman Canada”, kopertina kryesore i është dedikuar Florida Doçit, një profesioniste shqiptare që po spikat në fushën globale të inteligjencës artificiale.

Florida Doçi po vlerësohet për kontributin e saj në zhvillimin etik dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, duke dëshmuar se inovacioni nuk ndërtohet vetëm mbi kod dhe të dhëna, por edhe mbi empatinë, integritetin dhe vizionin njerëzor.

Në intervistën për revistën, ajo thekson se inteligjenca artificiale duhet të zhvillohet duke pasur në qendër interesin e shoqërisë dhe ndikimin pozitiv tek njerëzit. Kjo filozofi e ka bërë Doçin një nga zërat e veçantë në Microsoft, ku ajo punon si kërkuese shkencore në zhvillimin dhe implementimin e inteligjencës artificiale në mënyrë të përgjegjshme dhe bashkëpunuese.

Florida Doçi përfaqëson një brez të ri profesionistësh që ndërthurin teknologjinë me vlerat humane, duke ndikuar në mënyrën se si kompanitë e mëdha teknologjike ndërtojnë produkte që synojnë të përmirësojnë jetën e njerëzve.

Rruga e saj akademike është po ashtu mbresëlënëse. Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Windsor-it, ku ka marrë dy diploma në Shkenca Politike dhe Shkenca Biologjike & Bioteknologji. Më pas, ka përfunduar studimet master në Shkenca Ndërdisiplinare të Shëndetit në Universitetin e Ottawa-s dhe aktualisht është në proces të përfundimit të doktoraturës në fushën e Shëndetit të Popullatës.

Paraqitja e saj në kopertinën e “Whoman Canada” konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm për kontributin e saj profesional, por edhe një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë që synojnë të ndërtojnë karrierë në fushat më inovative të kohës./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit