Fitër Bajrami, besimtarët falin namazin në Sheshin Skënderbej në Tiranë

Besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam, që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Të shumtë ishin besimtarët që iu bashkuan thirrjes për t’u falur në sheshin Skënderbej në Tiranë, duke iu lutur Allahut për pranimin e agjërimit dhe për më shumë paqe e begati.

Pas faljes së namazit, besimtarët shkëmbyen urime me njëri-tjetrin, duke ndarë gëzimin e kësaj dite të bekuar.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar përmes mikrofonit të RTSH-së, të gjithë besimtarët myslimarë  duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe sociale të muajit të Ramazanit.

“Gëzuar Fitër Bajramin! Uroj dhe shpresoj që muaji i Ramazanit të ketë qenë një muaj begatie, mirësie dhe faljeje të madhe. Ky muaj është një shtysë që e përmirëson njeriun, e bën më të dashur dhe më solidar me ata që janë në nevojë. Adhurimet na pastrojnë shpirtërisht dhe na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin. Uroj që ditë më të mira të vijnë për të gjithë dhe për Shqipërinë”, u shpreh Spahiu.

Ai e cilësoi Ramazanin si një “shkollë” të vërtetë edukimi moral, shpirtëror dhe social.

Sipas traditës, shumë besimtarë vijojnë festimet duke vizituar familjarët dhe të afërmit, si dhe duke ndihmuar personat në nevojë, duke ruajtur frymën e solidaritetit dhe bujarisë që përcjell kjo festë.

Ceremonia e faljes së Fiter Bajramit u zhvillua në të gjitha xhamitë e vendit e në qytete të mëdha dhe në sheshe.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit