Kosova vazhdon të ketë një trend pozitiv sa i përket renditjes globale të lumturisë.
Në raportin e fundit të World Happiness Report, Kosova u pozicionuar rreth vendit të 16-të në botë, sipas të dhënave të Gallup World Poll për periudhën 2023–2025.
Me një vlerësim mesatar të jetës rreth 6.9 pikë, Kosova hyn në mesin e vendeve me performancë të lartë, duke lënë pas shumë shtete të zhvilluara si Gjermania, Austria, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA-të etj.
Ky rezultat e vendos Kosovën përkrah vendeve të njohura për standard më të lartë jetese, ndërkohë që kryesimin e listës për lumturi vazhdojnë ta mbajnë shtetet nordike si Finlanda, Danimarka dhe Islanda.
Ndryshe vendet e rajonit renditen më poshtë se Kosova. Serbia është në vendin e 30-të, pasuar nga Mali i Zi në vendin e 60-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 82 dhe Shqipëria në vendin e 86-të.
Ambasada e Finlandës në Kosovë ka mirëpritur renditjen e shtetit të tyre në vendin e parë në këtë raport.
“Finlanda është vendi më i lumtur për të nëntin vit radhazi. Lumturia jonë është e ndërthurur si në strukturën e shoqërisë ashtu edhe në jetën e përditshme”, ka njoftuar ambasada.
Raporti mat lumturinë bazuar në perceptimin që qytetarët kanë për jetën e tyre dhe faktorë si të ardhurat, mbështetja sociale, shëndeti, liria personale dhe niveli i korrupsionit.
Renditja e lartë e Kosovës sugjeron një perceptim relativisht pozitiv të jetës, pavarësisht sfidave ekonomike dhe institucionale që vazhdojnë të ekzistojnë.
Këto janë dhjetë vendet më të lumtura në botë: Finlanda, Islanda, Danimarka, Kosta Rika, Suedia, Norvegjia, Holanda, Izraeli, Luksemburgu dhe Zvicra.
Një element tjetër që bie në sy nga ky raport është edhe niveli shumë i lartë i përdorimit të rrjeteve sociale në vend.
Sipas të dhënave të Eurostat, përdorimi i rrjeteve sociale është shumë i lartë – mbi 90% tek të rinjtë. Kjo e bën vendin shumë aktiv në hapësirën digjitale, por njëkohësisht hap debat nëse ky përdorim po përkthehet në mirëqenie më të madhe për qytetarët.





