-5.2 C
Skopje
Tuesday, December 16, 2025

Filipçe prezanton qëndrimet e LSDM-së mbi qeverinë, korrupsionin dhe orientimin politik të vendit

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi sonte se përmes një lufte intensive politike dhe publikimit të fakteve dhe provave, partia do ta zbulojë dhe demaskojë, sipas tij, pushtetin jodemokratik dhe kriminal të VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it, me qëllim që qytetarët ta mësojnë të vërtetën për skandalet korruptive dhe keqpërdorimet e institucioneve nga kjo qeveri.

– Ka shumë tema për të cilat duhet dhe patjetër të flitet, shumë gjëra që duhet të bëhen për ta zbuluar këtë pushtet jodemokratik dhe praktikisht kriminal të VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it, theksoi Filipçe në intervistën e mbrëmjes në emisionin “360 gradë”.

Ai nënvizoi se LSDM-ja dhe ekipi antikorrupsion i partisë po punojnë intensivisht në analizën dhe zbulimin e skandaleve korruptive të Qeverisë së VMRO-DPMNE-së.

“Ne kemi punuar intensivisht në zbulimin dhe analizën, veçanërisht ekipi ynë antikorrupsion ka punuar për këto skandale korruptive, të cilat po i publikojmë gradualisht. Materiale ka vërtet shumë; publiku gjithnjë e më shumë do të njihet me to dhe mendoj se në disa momente do të mbetet edhe i tronditur kur të dëgjojë se çfarë bëjnë anëtarët e qeverisë, drejtues të shumë institucioneve dhe persona të afërt me VMRO-DPMNE-në”, tha Filipçe.

Filipçe deklaroi se paralajmërimet për pranimin e migrantëve në këmbim të mjeteve financiare përbëjnë tradhti të drejtpërdrejtë dhe shitje të interesave kombëtare dhe të sigurisë së shtetit.

– “Media britanike relevante, ‘The Times’ dhe ‘The Telegraph’, thonë se qeveria maqedonase ka negociuar zyrtarisht, me këto fjalë – zyrtarisht – për të marrë azilkërkues të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar. Ky është një poshtërim që qytetarët tanë nuk e kanë përjetuar deri tani. Kjo do të thotë se kjo qeveri ka lejuar dhe ka hyrë në negociata zyrtare që persona të refuzuar nga Britania e Madhe të pranohen tek ne. Kjo do të thotë se dikush që nuk është i përshtatshëm për Britaninë e Madhe, ne do ta pranojmë. Pse duhet të pranojmë dikë që nuk është i përshtatshëm për askund? Së pari kjo. Së dyti, sipas po të njëjtave media britanike, për këta persona qeveria do të marrë para. Dhe e gjithë kjo lidhet me kreditimin prej 6 miliardë eurosh. Pra, ne marrim migrantë që nuk janë të përshtatshëm, që kush e di pse janë të dyshuar ose të dënuar dhe nuk mund të qëndrojnë në Britaninë e Madhe, ndërsa qeveria i merr tek ne. Njëkohësisht paguajmë kamata enorme për kredi prej 6 miliardë eurosh. Ku ekziston kjo? Kjo është e barabartë me tradhti kombëtare”, tha Filipçe.

LSDM-ja, siç u shpreh ai, nuk do të heshtë për këto politika të rrezikshme dhe do të vazhdojë t’i demaskojë publikisht të gjitha marrëveshjet dhe veprimet që e rrezikojnë shtetin, perspektivën evropiane dhe sigurinë e qytetarëve.

Në intervistë, Filipçe theksoi se LSDM-ja ka përgjegjësi ndaj qytetarëve që e vërteta të publikohet.

Qeveria e VMRO-DPMNE-së, sipas tij, po e shtyn Maqedoninë drejt një varësie të rrezikshme politike nga Serbia dhe Hungaria dhe po vepron si nënkontraktore e interesave dhe politikave të këtyre dy qeverive.

– “Ka shumë elemente që tregojnë lidhjen e pushtetit të VMRO-DPMNE-së me Vuçiçin në Serbi dhe me pushtetin e Orbanit në Hungari. Këtë nuk e themi ne, as unë dhe as LSDM-ja. Kjo përmendet në raportin e parafundit të Parlamentit Evropian, ku theksohet qartë prania dhe ndikimi i botës serbo-ruse në Maqedoni”, theksoi Filipçe.

Si shembull, ai përmendi hyrjen e Alta Bankës, e cila, sipas tij, ka ndalim në BE. Filipçe shtoi se nuk është sekret marrëdhënia e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së me Hungarinë dhe Serbinë, dhe se me rënien e regjimeve autokratike në rajon do të vijë edhe fundi i qeverisjes së VMRO-DPMNE-së.

– “Nuk është aspak sekret. Kur shohim se si sillet qeveria jonë ndaj qeverisë së Hungarisë. Ky pushtet i Hristijan Mickoskit ka ardhur këtu me mbështetje logjistike dhe financiare nga Serbia dhe Hungaria. Sa kohë Hungaria e mban të strehuar Nikolla Gruevskin e arratisur? Prandaj, me rënien e atyre regjimeve autokratike, të asaj boshti, gradualisht po vjen edhe fundi i qeverisjes së VMRO-DPMNE-së”, tha Filipçe.

Në intervistë, kryetari i LSDM-së foli gjithashtu për formimin e një ekipi të ri, duke thënë se sekretari i përgjithshëm Aleksandar Dimitrijeviç do ta mbajë të njëjtin post, një nga nënkryetarët do të jetë kandidati për kryetar komune të Aerodromit, Aleksandar Trajanovski, ndërsa nesër do t’i shpallë edhe emrat e tjerë të anëtarëve të udhëheqjes dhe të Bordit Ekzekutiv.

Filipçe theksoi se vendimet dhe zgjedhjet do të merren në mbledhjen e nesërme të Komitetit Qendror të partisë. Duke folur për procesin e formimit të ekipit të ri, ai theksoi se është kyçe balanca mes përvojës dhe rinisë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit