Filipçe prezanton programin e LSDM-së: Rritje pagash, pensione dhe masa kundër krizës

Paga më të larta dhe pensione, lehtësime tatimore, si dhe konfirmimi i identitetit janë vetëm disa nga pikat në programin e LSDM-së që e promovoi Venko Filipçe. Ky program duhet të miratohet në kongresin partiak në qershor, ndërsa do të jetë bazë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Ekonomia është për njerëzit, jo për pronarët dhe prandaj nuk ofrojmë vetëm shifrat tona por një marrëveshje krejtësisht të re sociale. Së pari, pagat lart, më tej pensione që rriten, stop për profiterët, paratë maqedonase në shtëpi dhe fund i terrorit të tregut”, tha Venko Filipçe.

Në program parashihet rritje e pagave të punëtorëve dhe pensione 50% më të mëdha. Siç deklaroi Filipçe, nëse fitimi i kompanisë rritet, duhet të rritet edhe paga e punëtorit. Njëkohësisht paralajmërohet plan për luftë kundër korrupsionit, vetting, por edhe plan për mbajtjen e të rinjve në vend. Në fund të prezantimit të programit, Filipçe u ndal edhe te kriza aktuale, për të cilën thotë se pushteti nuk ndërmerr asgjë, ndërsa çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha produktet ushqimore.

“Vaji është shtrenjtuar deri në 118 denarë, kafeja nga 120 në 140 denarë, mishi i grirë nga 730 në 840 denarë, mishi i pulës mbi 400 denarë, një kuti me 10 vezë mbi 110 denarë, janë rritur çmimet e perimeve dhe frutave. Specat arritën çmim prej 300 denarësh, domatet mbi 200 denarë”, deklaroi Filipçe.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit