Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe sot në konferencë për media duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve tha se e mbështet nismën të cilën dje në Kuvend e parashtroi Lidhja e Sindikatave, për uljen e pagave të funksionarëve.
“Ne e mbështesim nismën, po debatohet në temë, e cila po shkakton trazira midis sindikatave dhe punëtorëve, ndërsa unë i kuptoj ata, duhet të debatojmë për temën. Ne e mbështesim absolutisht nismën, unë personalisht dhe i gjithë grupi parlamentar, dhe le të jetë e qartë se ky është qëndrim partiak, ne jemi për uljen e pagave të funksionarëve. Sepse edhe këtu e lidh përgjigjen me pyetjen e mëposhtme: kategori të caktuara të qytetarëve nuk mund të jenë të shqetësuar dhe të kenë probleme. Roli i Qeverisë është t’u plotësojë nevojat të gjithëve”, tha Filipçe.
Lidhur me protestat e grupeve të caktuara të qytetarëve për sekuestrimin e automjeteve pa leje drejtimi, ai tha se shkelja e ligjit nuk duhet të tolerohet, por duhet të bisedohet me njerëzit, të shihen problemet dhe t’u ofrohen zgjidhje, në mënyrë që sistemi të funksionojë. Ai mohoi se LSDM qëndron pas organizimit të atyre protestave, duke theksuar se për to kishte mësuar nga mediat.
Në pyetjen e gazetarëve për qëndrimin e vendit në lidhje me BE, dhe se është rritur mbështetja për hyrje në BE, por se një numër i vogël i qytetarëve janë për ndryshim të Kushtetutës, tha se është i sigurt se do të kalojë një kohë në të cilën të gjithë do të jemi të lumtur që e kemi pasur propozimin francez në tavolinë dhe se do të na vjen keq që e kemi pranuar atë që është ofruar nga BE-ja.
“Fakti që vetëm 11 për qind e qytetarëve i pranojnë ndryshimet kushtetuese është, për mua, një nga sinjalet se ata janë vërtet të informuar në një përqindje të madhe, për fat të keq, nga qendrat e informacionit që përhapin lajme të rreme. Kur ta pyesni qeverinë, askush nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese në vetvete, askush nuk është kundër bullgarëve në Kushtetutë, frika është se pasi të hapen kapitujt, mund të përballemi përsëri me disa kërkesa jo parimore që cenojnë përcaktimet tona identitare, dhe kështu të kemi një problem. Askush nuk e pranon këtë, as ne nuk e pranojmë atë. Kjo është arsyeja pse e paraqita propozim-rezolutën, të cilës, për fat të keq, asnjë parti nuk i është përgjigjur deri më tani”, tha ai.
Ai kujtoi se atje u tha se duhet të bashkohemi rreth vijave tona të kuqe dhe për atë që nuk negociojmë, dhe se nuk kanë problem me ndryshimet kushtetuese që po ndodhin, sepse atëherë do të hapen kapitujt dhe se atëherë do të fillojë reforma e vërtetë e ligjeve, dhe më e rëndësishmja, siç tha ai, do të hapen mjetet evropiane, nga të cilat do të përfitojnë qytetarët.
“Nëse përballemi përsëri me një situatë bllokade, kemi mekanizma për të diskutuar përsëri, kemi rënë dakord që nuk do ta debatojmë këtë, në lidhje me përcaktuesit e identitetit tonë, të cilët nuk janë të kërcënuar as tani”, tha ai.
Sipas tij, nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese kusht në propozimin francez, por një nga hapat që duhet të bëhet është hapja e dosjeve të shërbimeve të fshehta, duke theksuar se këtë e kanë bërë të gjitha ish vendet socialiste para se të përfshihen në BE.



