Organizata botërore e futbollit FIFA dhe Bordi i Paqes kanë nënshkruar një marrëveshje partneriteti më 19 shkurt për të tërhequr investime nga liderë dhe institucione globale për zhvillim të qëndrueshëm në rajonet e prekura nga konfliktet, përmes futbollit.
Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump, mbajti dje takimin e parë të fokusuar në fondin e rindërtimit të Gazës, i cili synon të rikonstruktojë territorin pasi Hamasi të çarmatoset.
Çarmatimi i militantëve të Hamasit dhe tërheqja e trupave izraelite, madhësia e fondit të rindërtimit dhe rrjedha e ndihmës humanitare për popullsinë e shkatërruar nga lufta pritet të paraqesin sfida të mëdha për efektivitetin e bordit në muajt e ardhshëm.
Siç shkruan Reuters, plani i bashkëpunimit me FIFA-n përfshin ndërtimin e 50 fushave të vogla pranë shkollave dhe zonave të banuara në Gaza, pesë fusha të plota në disa distrikte, një akademi moderne të FIFA-s dhe një stadium kombëtar të ri me 20 mijë vende, tha FIFA.
Trump deklaroi se FIFA do të mbledhë 75 milionë dollarë për projekte të lidhura me futbollin në Gaza.
“FIFA dhe Bordi i Paqes kanë nënshkruar sot një marrëveshje historike partneriteti që do të nxisë investime në futboll me qëllim ndihmën e procesit të rimëkëmbjes në zonat pas konfliktit,” tha presidenti i FIFA-s Gianni Infantino në një deklaratë.
“Së bashku me mbështetjen e Bordit të Paqes, FIFA do të udhëheqë këtë partneritet i cili është ndërtuar për të sjellë ndikim në çdo fazë.”
Programi do të theksojë gjithashtu krijimin e vendeve të punës, pjesëmarrjen e të rinjve, ligat e organizuara për djem dhe vajza, angazhimin e komunitetit dhe nxitjen e aktiviteteve tregtare lokale.



