Federata e Gjimnastikës e Kosovës (FGJK) ka shpallur laureatët e vitit 2025, duke përmbyllur një vit të suksesshëm për këtë sport, i cili shënoi rezultate të rëndësishme në garat ndërkombëtare.
Çmimi për sportisten më të mirë të vitit i është ndarë Sara Pllanës, e cila arriti të fitojë medaljen e parë ballkanike për gjimnastikën kosovare, duke shënuar një moment historik për këtë disiplinë sportive në vend.
Në ceremoninë solemne morën pjesë edhe drejtues të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), të udhëhequr nga presidenti Ismet Krasniqi. Me këtë rast, në emër të KOK-ut, Krasniqi nderoi ish-kryetarin e FGJK-së, Besim Halilaj, për kontributin e tij të veçantë në themelimin dhe zhvillimin e gjimnastikës në Kosovë.
Halilaj, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka dhënë rol të rëndësishëm në themelimin e Federatës dhe krijimin e pesë klubeve të para të gjimnastikës, ndërsa sot numri i tyre ka arritur në 18. Ai gjithashtu vlerësohet për kontributin në ndërkombëtarizimin dhe fuqizimin e Federatës së Gjimnastikës së Kosovës në arenën sportive ndërkombëtare./KultPlus.com



