FFK përkujton Epopenë e UÇK-së dhe thekson rëndësinë e turneut tradicional të futsallit “Adem Jashari”

Federata e Futbollit e Kosovës ka përkujtuar Epopenë e UÇK-së, duke nderuar sakrificën e Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, të cilët sipas këtij institucioni mbeten simbol i përjetshëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e saj, federata thekson se Epopeja e UÇK-së përbën një nga themelet e shtetit të Kosovës dhe një amanet që obligon brezat e sotëm dhe të ardhshëm të punojnë me përkushtim për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.

Sipas FFK-së, komuniteti i futbollit ka përgjegjësi që vlerat e sakrificës, unitetit dhe luftës çlirimtare t’i përcjellë te brezat e rinj, duke kultivuar ndjenjën e atdhedashurisë dhe respektin për historinë e vendit.

Në këtë kuadër, Federata e Futbollit e Kosovës ka theksuar se tash e 17 vjet organizon turneun tradicional të futsallit “Adem Jashari”, si një aktivitet që synon të mbajë gjallë kujtesën për ngjarjet dhe sakrificën që shënoi një kthesë vendimtare në historinë e Kosovës.

Në fund të mesazhit, federata ka nderuar figurën e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorët e kombit, duke theksuar se heroizmi i tyre mbetet frymëzim i përhershëm për shoqërinë kosovare./KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit