Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetau ka uruar të gjithë besimtarët për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit që siç tha, ky muaj, është një mundësi për të forcuar lidhjet me njëri-tjetrin, për të ushtruar tolerancën, mëshirën dhe humanizmi. Fetua tha se, agjërimi nuk është vetëm një akt i privimit nga ushqimi dhe pija, por një udhëtim shpirtëror që na ndihmon të formojmë vetëdijen tonë për të mirën,
“Me zemër të hapur dhe shpirt të përulur sonte po hyjmë në muajin e bekuar të Ramazanit, muajin e mëshirës, dijes, tolerancës, humanizmit, muajin e devotshmërisë, me një fjalë muajin e të gjitha të mirave, i cili na fton në reflektim, përkushtim dhe afrim me krijuesin e gjithësisë, Allahun fuqiplotë. Ky muaj i madhërishëm na kujton rëndësinë e agjërimit, përulësisë dhe veprave të mira, duke na udhëhequr drejt një pastrimi shpirtëror e fizik. Agjërimi nuk është vetëm një akt i privimit nga ushqimi dhe pija, por një udhëtim shpirtëror që na ndihmon të formojmë vetëdijen tonë për të mirën, për të forcuar lidhjen me Allahun fuqiplotë dhe për të kultivuar ndjeshmërinë ndaj të tjerëve. Në këtë muaj të dijes dhe urtësisë, le të kërkojmë dituri dhe të thellojmë kuptimin tonë përmes leximit dhe reflektimit”.
Fetau uroi që ky muaj të sjellë paqe në botë, që u lut që të ndërpriten konfliktet dhe t’u jepet fund vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm.
“Lusim Allahun e Madhëruar që ky muaj të sjellë paqe në zemrat tona dhe në mbarë botën. Lutemi për ndërprerjen e çdo konflikti dhe për fundin e vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm. Le të jetë ky muaj një periudhë e pajtimit, e faljes dhe e afrimit me njëri-tjetrin. Më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht një Ramazan të begatë, të mbushur me mirësi dhe mëshirë hyjnore. Allahu na dhëntë forcën për ta kryer agjërimin me devotshmëri me lehtësim dhe i lutemi të madhit Zot që t`na shpërblejë me faljen dhe mëshirën e tij të pafund. Zoti ju bekoftë juve dhe familjet tuaja. Na qoftë për hajër muaji i agjërimit, muaji i Ramazanit të bekuar”, ka shkruar Fetahu.