Zëvendëskryeministri Arben Fetai mori pjesë sot në Konferencën Ndërkombëtare për Qeverisje, të zhvilluar në Tiranë, ku ishte pjesë e panelit në sesionin me temë: “A është agjenda e integrimit evropian shpresa e vetme për vendet e Ballkanit Perëndimor?”.
Në fjalën e tij, Fetai nënvizoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj reformave evropiane dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal. Ai theksoi se Agjenda e Reformës, e miratuar këtë vit, fokusohet në forcimin e sundimit të ligjit, një administratë më efikase, promovimin e meritokracisë dhe përmirësimin e shërbimeve publike në sektorë kyç si arsimi dhe shëndetësia.
“Reformat nuk kanë për qëllim vetëm anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe evropianizimin e shoqërisë sonë,” tha Fetai.
Ai shtoi gjithashtu se integrimi evropian mbetet një shtyllë themelore për të gjithë rajonin – jo thjesht si një proces teknik, por si një projekt politik që ndërtohet mbi vlera të përbashkëta si solidariteti, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor.