Fetai: Ligji i ri vendos standarde të qarta për përfaqësim të drejtë

Miratimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat shënon moment të rëndësishëm për rikthimin e drejtësisë dhe barazisë reale në institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për vite me radhë, parimi i përfaqësimit të drejtë është keqpërdorur dhe deformuar përmes mekanizmave të paqarta, duke u shndërruar në instrument të kalkulimeve të politikës ditore. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë,

Arben Fetai, ndërsa ka shtuar se Ligji i ri mbyll zbrazëtitë juridike që për vite janë shfrytëzuar për qëllime të politikës ditore.
“I ashtuquajturi ‘Balancues’, i cili duhej të ishte mjet që garanton barazi, në praktikë u kthye në mekanizëm me zbrazëti të mëdha juridike që lejonte manipulime, interpretime selektive dhe punësime të motivuara nga interesa të ngushta partiake. Kjo periudhë ka lënë pasoja të dukshme në administratë dhe ka dëmtuar besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit. Ligji i ri i vendos fund kësaj praktike. Ai mbyll zbrazëtitë juridike që për vite janë shfrytëzuar për qëllime të politikës ditore dhe vendos kornizë të qartë, të detyrueshme dhe transparente për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Për herë të parë, ky parim institucionalizohet me mekanizma konkretë që e bëjnë të pamundur manipulimin dhe keqpërdorimin e tij”.

Ky, sipas Fetait, është rezultat i angazhimi të gjatë dhe këmbëngulës për ta kthyer përfaqësimin e drejtë nga një slogan politik në një standard të vërtetë ligjor dhe institucional. “Përmes punës së vazhdueshme dhe vullnetit të palëkundur për reforma reale, u bë e mundur që ky ligj të mos mbetet vetëm premtim politik, por të shndërrohet në realitet. Miratimi i këtij ligji është hap i madh drejt ndërtimit të institucioneve që reflektojnë realisht përbërjen e shoqërisë dhe që funksionojnë mbi bazën e drejtësisë dhe barazisë. Ai i jep fund praktikave të vjetra të manipulimit dhe hap rrugën për administratë më të drejtë, më profesionale dhe më të besueshme për qytetarët”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit