Muaji shkurt përshkohet nga organizime festimesh me maska, tipike të festës së Karnavaleve.
Si çdo vit, data e Karnavaleve ndryshon, në bazë të datës së Pashkës, e cila këtë vit bie më 5 prill (për katolikët). Karnavalet zakonisht festohen 70 ditë përpara Pashkës.
Ato janë një festë, origjina e së cilës daton që me egjiptianët e lashtë, të cilët e nderonin perëndeshën Isis duke mbajtur maska. Megjithatë, karnavalet, siç i njohim sot, vijnë nga tradita e krishterë, ku ishte zakon të organizohej një banket i fundit me përmbajtje kryesisht mishi, përpara se të niste mbajtja e Kreshmëve (mosngrënia e mishit dhe nënprodukteve të tij).
Kjo festë plot ngjyra ku lejohet çdo shaka, është e përhapur dhe e dashur në të gjithë botën si nga të rriturit ashtu edhe nga fëmijët: Karnavalet në Rio ose Venecia, janë shembulli se si çdo vit miliona turistë nga çdo kontinent mblidhen për festime me maska.
Në Shkodër, tradita e karnavaleve vjen e dokumentuar prej 1860-ës, duke u kthyer në një nga elementët më të qëndrueshme të jetës kulturore dhe urbane të qytetit. Të njohura për maskat, veshjet dhe shfaqjet artistike, ato kanë ruajtur ndër breza mjeshtërinë e punimit artizanal dhe shpirtin krijues të komunitetit. Maskat veneciane janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe përbëjnë një element simbolik të kësaj tradite, duke përfaqësuar një vlerë të veçantë kulturore dhe identitare, të ruajtur dhe të transmetuar brez pas brezi.
Ky aktivitet sjell në vëmendje këto elemente duke lidhur traditën historike të karnavaleve me praktikat e mjeshtërisë artizanale dhe trashëgiminë kulturore jomateriale të transmetuar ndër breza.
Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, në qytetin e Shkodrës do të zhvillohet në datat 10 dhe 11 shkurt punëtori mbi maskat veneciane, punëtori për qëndistari e stilim si dhe sfilatë e veshjeve të karnavaleve./atsh/KultPlus.com



