Ferdinand Deda, kompozitori dhe dirigjenti që i kushtoi jetën pentagramit

Kompozitori dhe dirigjenti i shquar Ferdinand Deda lindi më 5 shkurt të vitit 1941.

Rrugëtimi i tij jetësor 62-vjeçar do t’i dedikohej posaçërisht pentagramit. Me të mbaruar Liceun Artistik të Tiranës në vitin 1960, iu drejtua Konservatorit të Muzikës në Pragë, ku ndoqi studimet në disiplinën e dirigjimit.

Në klimën e pezmatimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, Ferdinand Deda, sikurse studente të tjerë jashtë vendit, u shtrëngua të braktiste studimet për t’i rimarrë ato në konservatorin e Tiranës. Prej auditorit, do t’i besohej të udhëhiqte orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.

Prej vitit 1964, Ferdinand Deda ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit. Kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë, mbajnë autorësinë e Dedës dhe të orkestrës simfonike të RTSH-së. Në tagrin e kompozitorit, ka lënë pas një trashëgimi tejet të pasur muzikore: 3 valle simfonike, katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut etj.

Në vitin 1997 Deda u shpall fitues i “Diskut të artë”, si edhe është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

 

U nda nga jeta më 24 gusht 2003./atsh

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit