Në manifestimin qendror me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, theksoi rëndësinë historike të 13 gushtit 2001 dhe ndikimin që marrëveshja ka pasur në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut.
Ferati tha se 13 gushti nuk është vetëm një datë e rëndësishme në historinë moderne të vendit, por një moment që ndryshoi rrjedhën e shtetit dhe u dha mijëra familjeve mundësinë të mendonin sërish për të ardhmen.
“Jo vetëm sepse u nënshkrua një marrëveshje. Por sepse mijëra familje patën mundësi, edhe një herë, të mendojnë për të nesërmen”, tha Ferati.
Ministri e ndërtoi fjalimin e tij përmes shembullit simbolik të një fëmije të lindur në gusht të vitit 2001, i cili sot është 25 vjeç.
“Sot, ai ose ajo është 25 vjeç. Nuk i kujton ditët kur frika ishte më e fuqishme se shpresa. Nuk i kujton bisedimet e gjata që formësuan fatin e vendit. Nuk e kujton pasigurinë me të cilën ky vend zgjohej çdo mëngjes”, theksoi ai.
Sipas Feratit, pikërisht këtu qëndron kuptimi më i madh i zgjedhjes së bërë 25 vite më parë – fitorja më e madhe e çdo paqeje është që brezat e rinj të mos kenë nevojë të kujtojnë pse ajo paqe ishte e nevojshme.
Ferati theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk duhet të shihet vetëm si një dokument i arkivuar, por si një marrëveshje që vazhdon të ndikojë në jetën e qytetarëve.
“Ka marrëveshje që përfundojnë në arkiva. Dhe ka marrëveshje që vazhdojnë të jetojnë në jetën e njerëzve. Marrëveshja Kornizë e Ohrit i përket llojit të dytë”, tha ai.
Sipas tij, marrëveshja nuk ishte e përsosur dhe nuk i zgjidhi të gjitha problemet, por në një nga momentet më të vështira të historisë së vendit u dha Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj mundësinë të zgjedhin sërish të ardhmen.
Duke iu referuar parimeve themelore të marrëveshjes, Ferati theksoi se refuzimi i dhunës dhe zgjedhja e zgjidhjeve politike e paqësore përbëjnë një vendim me karakter civilizues.
“Asnjë fitore nuk ka vlerë nëse çmimi i saj është jeta e njeriut. Dialogu, sado i vështirë të jetë, gjithmonë vlen më shumë se heshtja që sjellin armët. Dhe e ardhmja gjithmonë vlen më shumë se ndarja”, përfundoi Ferati.






