Familja Ademaj i bën apel mediave: Mos shpërndani pamjet e motrës së ndjerë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot është mbajtur seanca e radhës gjyqësore lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, ku të akuzuar janë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava.

Gjatë seancës së sotme u publikuan nga trupi gjykues disa pamje të rënda, ku shihej tashmë e ndjera Liridona pas momentit të vrasjes.

Si rrjedhojë vëllai i saj, Leonard Ademaj u ka bërë thirrje mediave dhe administratorëve të faqeve në rrjete sociale që të mos shpërndajnë pamje të tilla, duke theksuar se ato janë të rëndësishme vetëm për procesin gjyqësor, por jo për publikun e gjerë.

“Një lutje nga zemra për gazetarët dhe mediat. Sot, gjatë zhvillimit të seancës së radhës në rastin e motrës sonë, Liridona Ademaj, janë transmetuar pamje të rënda ku shihet motra jonë. I lusim mediat dhe administratorët e llogarive në mediat sociale të mos i publikojnë ato pamje të rënda. Ne konsiderojmë që ato pamje janë me rëndësi për gjykatën, por jo për publikun e gjerë, meqë e denigrojnë figurën e motrës sonë”, ka shkruar Ademaj.

Ai ka shtuar se këtë kërkesë po e bëjnë sidomos për të ruajtur figurën e Liridones në raport me fëmijët e saj, të cilët në të ardhmen mund t’i shohin online.

“Ne duam që fëmijët e saj ta mbajnë në mend nënën e tyre ashtu siç e kanë njohur kur ka qenë gjallë.
Po ashtu, duke pasur respekt për gjykatën, ne megjithatë shpresojmë që gjykata do të urdhërojë mediat që pamjet e tilla nga gjykimi të mos publikohen dhe të përdoren vetëm për gjykim”, u shpreh ai. /Telegrafi/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit