Faljet presidenciale në fokus: Filtri profesional i Shasivarit apo vullneti kushtetues i Davkovës?

Advertisement

Vendimi i fundit për faljet presidenciale, i publikuar me rastin e festës së Ilindenit, ka rikthyer në fokus përfaqësimin etnik në procesin e faljeve shtetërore.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Lajmeve INA, nga gjithsej 25 persona të falur nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, nëntë janë shqiptarë, ose 36 për qind e numrit të përgjithshëm.

Të dhënat krahasuese për tri vitet e fundit tregojnë një rritje të numrit të personave të falur:

  • Në vitin 2024 u falën 5 persona, prej të cilëve 1 shqiptar.
  • Në vitin 2025 u falën 8 persona, prej të cilëve 3 shqiptarë.
  • Në vitin 2026 u falën 25 persona, prej të cilëve 9 shqiptarë.

Sipas analizës së INA-s, rëndësia e këtij viti lidhet jo vetëm me përfaqësimin etnik, por edhe me rritjen e numrit të përgjithshëm të faljeve, çka mundëson një vlerësim më të qëndrueshëm të procesit.

Në raport theksohet se procesi është zhvilluar përmes bashkëpunimit institucional ndërmjet Kabinetit të Presidentes dhe Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka kryer shqyrtimin paraprak të propozimeve.

Sipas INA-s, ky model synon që faljet presidenciale të bazohen në kritere objektive dhe në trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike.

Analiza gjithashtu vë në pah rolin e Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrit Jeton Shasivari në procesin e vlerësimit të rasteve, si dhe angazhimin e presidentes Siljanovska-Davkova në dekretimin e faljeve.

Sipas vlerësimeve të paraqitura, bashkëpunimi institucional në këtë proces mund të kontribuojë në rritjen e besimit publik ndaj institucionit të faljes presidenciale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit