Eurodeputetët: Ndryshimet kushtetuese kyçe për rrugën drejt BE-së

Bruksel, 26 shkurt – Ndryshimet kushtetuese mbeten thelbësore për vazhdimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në, por përgjegjësia për ngërçin nuk i takon vetëm Shkupit, por edhe Brukselit, tha Thomas Weitz para Komitetit të Punëve të Jashtme gjatë prezantimit të draft-raportit vjetor të progresit për vendin.

“Lidhur me ndryshimet kushtetuese – është shumë e qartë se të drejtat e pakicave për shprehje kulturore dhe vetëvendosje janë pjesë e legjislacionit tonë evropian dhe, rrjedhimisht, pjesë e kornizës negociuese dhe përfundimeve të Këshillit. Prandaj, ekziston nevoja për të përmbushur këtë kërkesë duke përfshirë pakica shtesë, gjegjësisht komunitetet e pranishme në vend, në Kushtetutë. Kjo është gjithashtu në frymën e asaj që unë do ta quaja historia e suksesit të vendit, ku përfshirja dhe ndarja e pushtetit midis grupeve të ndryshme etnike – shumicës dhe pakicave – janë komponentë kyç”, tha Weitz.

Eurodeputetë të tjerë gjithashtu mbështetën rrugën evropiane të vendit, por këmbëngulën në ndryshimet kushtetuese. Më i zëshmi ishte Antonio Tanger Correa nga Portugalia, i cili vlerësoi se qytetarët e Maqedonisë jo vetëm që janë lodhur duke pritur për anëtarësim, por po distancohen edhe nga BE-ja.

“Maqedonia padyshim që i përket BE-së, por momenti i reformës kërkon vendosmëri politike në lidhje me ndryshimet kushtetuese”, tha eurodeputeti Matej Tonin nga Sllovenia.

“Maqedonia përfundoi shqyrtimin më 7 dhjetor 2023. Ata bëjnë gjithçka që munden. Ata kanë reformuar Kushtetutën dhe kanë ndryshuar ligjet. Por, në aspektin e pakicave dhe politikës së brendshme, nevojitet një qasje e ndryshme – t’i mbështesim ato më shumë, dhe jo vetëm të kërkojmë. BE-ja duhet të jetë një faktor stabilizues, jo destabilizues, duke u lejuar pakicave të ndryshme të përfitojnë nga negociatat me BE-në dhe pozicioni i brishtë i vendit. Ne duhet ta mbajmë rajonin në rrugën e bashkëpunimit dhe stabilitetit, sepse kjo është në interes të BE-së”, tha Tanger Correa.

Eurodeputeti bullgar Ivaylo Valchev i ka bërë thirrje Maqedonisë të bëjë ndryshimet kushtetuese, duke thënë se dështimi i tyre për t’i zbatuar ato tregon mungesë vullneti politik.

“Partitë në pushtet në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë me një politikë të kërkimit të një armiku të jashtëm për të mbuluar problemet e brendshme politike. Veçanërisht shqetësuese janë deklaratat publike të kryeministrit Hristijan Mickoski, të cilat shpesh intensifikojnë retorikën konfrontuese – si ndaj opozitës dhe medias kritike, ashtu edhe ndaj vendeve fqinje dhe vetë Bashkimit Evropian. Sipas mendimit tim personal, vendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian, por jo me çdo kusht. Mungesa e ndryshimeve kushtetuese, të dakordësuara si pjesë e kornizës negociuese, tregon mungesë të vullnetit politik dhe vizionit strategjik që do ta çonte vendin drejt anëtarësimit”, tha Valchev.

Thomas Weitz vlerësoi se sundimi i ligjit mbetet një sfidë me përparim të kufizuar, por theksoi se ky vit është shpallur një “vit reformash”, duke bërë thirrje që përpjekjet të shtohen deri në qershor në mënyrë që të mos rrezikohet humbja e rreth 47 milionë eurove në mbështetje buxhetore. Ai gjithashtu theksoi nevojën urgjente për investime të huaja, veçanërisht në tranzicionin energjetik dhe burimet e energjisë së rinovueshme, duke theksuar se siguria ligjore është çelësi për tërheqjen e investitorëve. Në fushën e mjedisit, ai përmendi progresin në menaxhimin e mbeturinave, por edhe sfidat serioze në trajtimin e ujërave të zeza.

Në shpjegimin e tij të tekstit të raportit, Thomas Weitz tha:

“Nuk është bërë asnjë përparim në ndryshimet kushtetuese për shkak të shqetësimeve rreth bllokimeve të mundshme të mëtejshme në baza dypalëshe ose kërkesave nga një vend fqinj. Ekziston nevojë urgjente për vullnet të shtuar politik nga të dyja palët për të kapërcyer këtë ngërç. Në një kohë ndryshimesh të thella në rendin ndërkombëtar që po përjeton Evropa – veçanërisht lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës, pasiguria e paparë mbi të ardhmen e aleancës transatlantike dhe kërcënimet më të gjera ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla – është thelbësore që Evropa të mbetet e bashkuar. Nuk ka vend për paqartësi. Në këtë sfond gjeopolitik, mund të lindin mundësi për një shtysë të re dhe përshpejtim të procesit të pranimit. Ky proces në të gjitha rrethanat do të mbetet i bazuar në meritë dhe i lidhur fort me përparimin në parimet themelore, veçanërisht sundimin e ligjit. Prandaj është thelbësore që të gjithë aktorët politikë në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht qeveria dhe deputetët e shumicës në pushtet, ta kuptojnë këtë ndjenjë urgjence dhe të fillojnë të japin rezultate të prekshme, të besueshme dhe reale pa vonesë të mëtejshme në këto fusha kyçe”.

Draft raporti duhet të shihet si një pikënisje për negociata, por nuk përfshin të gjitha çështjet që do të mbulohen në raportin përfundimtar që do të miratohet nga Parlamenti Evropian. Dokumenti thekson nevojën për “angazhim politik, duke përfshirë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, bashkëpunimin konstruktiv ndërpartiak dhe shqyrtimin efektiv parlamentar, për të arritur përparim në rrugën e reformave”. Ai bën thirrje për një angazhim të vazhdueshëm për dialog dhe bashkëpunim me vendet fqinje. Ai mirëpret përparimin në Korridoret 8 dhe 10, por thekson nevojën për më shumë investime në transport, infrastrukturën energjetike dhe legjislacionin mjedisor.

Raporti bën thirrje për zbatimin e rekomandimeve të mbetura të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venedikut. Ai gjithashtu bën thirrje për transparencë më të madhe në financimin e partive politike dhe reklamave politike.

Përqendrimi i pronësisë së medias vihet re me shqetësim. Shprehet shqetësim për fushatat e dezinformimit që vënë në pikëpyetje vlerat demokratike dhe qëllimin e vendit për anëtarësim në BE.

Theksohet nevoja për të vazhduar punën për të përmirësuar situatën e komuniteteve jo-shumicë, duke përfshirë edhe në lidhje me përdorimin e gjuhëve, si dhe për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar diversitetin.

Shprehet shqetësim se gjyqësori, pavarësia e gjykatave dhe prokurorëve, si dhe përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit dhe kornizat kundër korrupsionit nuk kanë përparuar mjaftueshëm.

Me shqetësim vihet re se nuk është bërë asnjë përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha.

Theksohet rëndësia e lidhjeve ndërkufitare, siç janë korridoret 8 dhe 10 të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T).

Ai bën thirrje për angazhim të vazhdueshëm për dialog dhe bashkëpunim me vendet fqinje me qëllim forcimin e stabilitetit rajonal dhe promovimin e besimit të ndërsjellë.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit