Dru të rrëzuar në rrugë dhe trotuare, degë të thyera mbi automjete, çati dhe tenda biznesesh të dëmtuara si dhe ndërprerje e përkohshme të energjisë elektrike. Janë pasojat e erës së fortë që goditi vendin. Sipas njoftimeve të Qendrës së Menaxhimit me Kriza, erërat e fuqishme kanë shkaktuar probleme ndërsa ekipet komunale kanë ndërhyrë për pastrimin e dëmeve.
“Era e fortë sot ka shkulur një konstruksion llamarine nga çatia e shkollës së mesme “Josif Josifovski” në Gjevgjeli dhe ka ngritur pjesë të llamarinës nga çatia e një kopshti për fëmijë në qytet. Në fshatrat Nerasht dhe Gllogjë të Komunës së Tearcës, kanë rënë dy shtylla. Në Shkup, si pasojë e erës së fuqishme në gjashtë lokacione janë raportuar pemë të rrëzuara dhe kabllo të këputura, duke shkaktuar dëme materiale në disa automjete”, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Krizat, deri më tani nuk ka njoftime për të lënduar, ndërsa dëmet materiale pritet të vlerësohen pas përfundimit të ndërhyrjeve në terren. Nga drejtoria për punë hidrometeorologjike thonë se moti i paqëndrueshëm me erë dhe reshje të herëpashershme do të vazhdojë. Apelojnë qytetarët që të shmangin lëvizjet pranë pemëve të vjetra, objekteve të dëmtuara dhe strukturave të paqëndrueshme. /Alsat.mk



