7.8 C
Skopje
Monday, December 8, 2025

Emma Dakoli, me rrënjë shqiptare, fiton festivalin prestigjioz “Zecchino d’Oro” në Itali

Një talente e vogël me rrënjë nga Durrësi ka shkëlqyer në skenën italiane. Emma Dakoli, 9 vjeç, u shpall fituese e edicionit të 68-të të “Zecchino d’Oro”, një prej festivaleve më historike dhe prestigjioze të këngës për fëmijë në Evropë, që mbahet në Bolonja.

Megjithëse mediat italiane theksuan se fituesja vinte nga Monza, suksesi i saj rihapi debatin mbi identitetin dhe integrimin e komunitetit të madh shqiptar në Itali.

Emma, e cila ka lindur në Itali, është vajza e Florian dhe Mimoza Dakolit, me origjinë nga Durrësi, të cilët jetojnë prej vitesh në Monza. Floriani, i ati i Emës, konfirmoi se familja e tij banon prej vitesh aty. Ai punon në një firmë logjistike transporti, ndërsa bashkëshortja e tij punon në administratën e universitetit.

Familja Dakoli, e cila ruan lidhje të forta me Shqipërinë, u shpreh e gëzuar për suksesin e vajzës së tyre. Emma merret prej kohësh me kursin e pianos dhe këndon në korin “MiMiSol” të qytetit. Festivali “Zecchino d’Oro” njihet për vlerat e tij edukative dhe ndikimin e gjerë kulturor.

Identiteti në media: Pse heshtet prejardhja?

Fitorja e Emës nxiti reagime jo vetëm për talentin e saj, por edhe për mënyrën si u raportua. Disa media italiane dhe madje drejtues të festivalit nuk përmendën prejardhjen shqiptare të prindërve. Floriani tha se ata nuk ishin pyetur nga askush për origjinën e familjes.

Kjo çështje u ngrit edhe nga bashkatdhetarët e familjes Dakoli në Itali. Ken Mehmeti, i njohur në komunitetin shqiptar në Monza, shprehu habinë për këtë heshtje mediatike. Ai shtoi se në disa raste, mediat italiane shfaqin kujdes për të saktësuar përkatësinë etnike të autorëve të krimeve apo aksidenteve, ndërsa e neglizhojnë atë në rastet e suksesit.

Për fat të keq, edhe në Shqipëri ishin të pakët ata që e mësuan se Ema ishte vogëlushe italo-shqiptare. Disa të intervistuar theksuan se jo vetëm mediat italiane, por edhe vetë shqiptarët vijojnë të mbartin komplekse, duke e lënë këtë histori suksesi në hije.

Megjithatë, fitorja e Emës Dakoli shërben si një shembull i shkëlqyer i integrimit të suksesshëm, duke e sjellë vëmendjen te kontributi pozitiv që komuniteti shqiptar, i cili numëron mbi gjysmë milioni banorë në Itali, po jep në jetën e vendit fqinj./JOQ

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit