14.8 C
Skopje
Sunday, September 21, 2025

Ekstremisti i dënuar gjerman ndërron gjininë vetëm që të vuajë dënimin në një burg për gra

Duke përfituar nga reformat e Gjermanisë për “vetëpërcaktimin gjinor”, ekstremist i djathtë mashkull ka ndryshuar zyrtarisht gjininë në femër dhe do ta vuajë dënimin në një burg për gra.

Në korrik të vitit 2023, Marla-Svenja Liebich u dënua nga Gjykata e Qarkut të Halles në landin Saksoni-Anhalt të Gjermanisë me një vit e gjashtë muaj burg pa kusht për nxitje të urrejtjes, shpifje dhe fyerje.

Interesante është se në atë kohë ajo njihej si Sven Liebich dhe identifikohej si mashkull. Ai e apeloi vendimin fillestar, por e humbi – dhe kjo ishte vetëm fillimi i një situate mjaft të pazakontë.

Në fund të vitit 2024, Liebich, i cili dyshohet të jetë anëtar i një grupi ekstremist të djathtë të quajtur “Blood and Honour”, përfitoi nga ligji i ri gjerman për vetëpërcaktimin gjinor dhe ndryshoi ligjërisht emrin në Marla-Svenja Liebich dhe gjininë në femër, raporton odditycentral.

“Është e dyshimtë nëse ndryshimi është i sinqertë. Liebich është i njohur prej vitesh për pikëpamjet ekstremiste të djathta dhe gjithashtu ka bërë deklarata kundër komunitetit queer në të kaluarën”, shkroi gazeta gjermane Der Spiegel, duke pohuar se ai “e ka bërë ndryshimin e statusit civil në mënyrë abuzive për të provokuar dhe vënë në siklet shtetin”.

Në janar, kur ndryshimi i gjinisë së Liebich filloi të bëhej lajm në Gjermani, shumë media raportuan se ai nuk kishte gjasa të dërgohej në një burg për gra, sepse “kushdo që ndryshon gjininë vetëm për qëllime provokimi, me gjasë do të trajtohet ende si burrë në burg”. Megjithatë, Marla-Svenja Liebich madje e paditi Der Spiegel-in për faktin që vunë në dyshim identitetin e saj gjinor.

Kryeprokurori i Halles ka deklaruar së fundmi se Marla-Svenja Liebich do ta vuajë dënimin në burgun për gra në Chemnitz, dhe ekstremistja e dënuar e ka konfirmuar vetë këtë në X (Twitter), duke shkruar se “do ta nis dënimin tim siç është planifikuar. Më 29 gusht 2025, në orën 22:00, do të mbërrij në institucionin korrektues të Chemnitz me valixhet e mia”.

Sipas prokurorisë, ende nuk është marrë një vendim se ku saktësisht do të vendoset Liebich brenda burgut për gra. Administrata e burgut do të vendosë nëse e dënuara përbën rrezik për sigurinë dhe rendin dhe nëse duhet transferuar në një institucion tjetër.

Sipas Euronews, Sven Liebich e ndryshoi gjininë dhe emrin përmes një “deklarate të thjeshtë” në zyrën e gjendjes civile në Schkeuditz, në veriperëndim të Saksonisë, falë Ligjit për Vetëpërcaktimin.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit