Më 29 mars, shumica e vendeve evropiane kalojnë në orën verore (Daylight Saving Time – DST), duke lëvizur akrepat një orë përpara. Kjo do të thotë më pak gjumë për qytetarët, por më shumë dritë gjatë mbrëmjes.
DST zbatohet kryesisht në vende ku ka dallim të madh mes ditëve të dimrit dhe verës. Megjithatë, vetëm rreth një e treta e shteteve në botë e përdorin këtë sistem. Shumë vende në Afrikë, Azi dhe rajonet tropikale nuk e aplikojnë fare, ndërsa edhe brenda shteteve si SHBA apo Australia ka përjashtime.
Ideja për ndryshimin e orës daton që në vitin 1895, kur entomologu nga Zelanda e Re, George Vernon Hudson, propozoi më shumë dritë në mbrëmje për aktivitete në natyrë. Më vonë, gjatë Luftës së Parë Botërore, Gjermania ishte vendi i parë që e zbatoi për të kursyer energji.
Ndër mitet më të përhapura është se DST ndihmon fermerët, por në realitet ata shpesh e kundërshtojnë, pasi kafshët nuk ndjekin orën njerëzore. Një tjetër kuriozitet lidhet me industrinë e ëmbëlsirave në SHBA, e cila dyshohet se ka lobuar për zgjatjen e orës verore për shkak të festës së Halloween-it.
Nga ana tjetër, ndryshimi i orës ka edhe pasoja negative. Studimet tregojnë rritje të lodhjes, ulje të përqendrimit dhe madje edhe shtim të aksidenteve rrugore në ditët pas ndryshimit të pranverës.
Debati për heqjen e këtij sistemi vazhdon si në SHBA ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Sondazhet tregojnë se shumica e qytetarëve preferojnë ose heqjen e plotë të ndryshimit të orës, ose mbajtjen e përhershme të orës verore.
Deri atëherë, qytetarët do të vazhdojnë të humbasin një orë gjumë në pranverë dhe ta fitojnë atë sërish në vjeshtë.(INA)



