Qeveritë ndërrohen, kryetarë të rinj emërohen, por problemi me sallën e sportit në Shkollën Fillore “Rushit Zajazi” mbetet i vjetër. Tanimë disa herë kemi raportuar për fenomenin e sallës së sportit në oborrin e shkollës, e cila është ndërtuar para 15 vitesh dhe për të nuk figuron asnjë dokument dhe si objekt nuk figuron as në kadastër. Një storie labirint që prej 7 vitesh hulumtimesh, nuk mund askush t’i bjerë në fije as kush e ndërtoi, si e ndërtoi dhe pse nuk u hap asnjëherë për përdorim. Për këtë situatë tani ju drejtuam kryetarit aktual të Komunës së Kërçovës, Aleksandër Jovanovski.
“Jam i gatshëm, me çdo çmim, të gjejmë zgjidhje. Unë kam biseduar me faktorë të ndryshëm, siç thoni, duke filluar nga projektuesit. Projektin e kërkova këtu me sektorin tonë për arsim, për urbanizëm kemi pasur disa takime. Kam biseduar edhe me drejtorin e shkollës, me përfaqësues nga Zajazi dhe jam i vendosur që të gjejmë mënyrë dhe zgjidhje që të legalizohet dhe t’i jepet shkollës”, theksoi Aleksandër Jovanovski – kryetar i Komunës së Kërçovës.
Drejtori i shkollës, Naser Ismaili, thotë se nuk i ka humbur shpresat për këtë sallë, megjithatë pohon se pa u pajisur me dokumente nuk do ta shfrytëzojë sallën.
“Biseduam për sallën e sportit dhe na premtoi kryetari i Komunës që për një periudhë të shkurtër do të mundohet që të hapet dhe do të rregullojnë edhe dokumentacionin e sallës së sportit”, theksoi Naser ismaili – drejtor i shkollës “Rexhë Rushit Zajazi”.
Kjo sallë është ndërtuar në vitin 2009/10, është e rregulluar por qëndron e mbyllur për gati dy dekada dhe deri më tani askush nuk i del zot këtij ndërtimi dhe dokumentacioni për këtë sallë nuk ndodhet askund.



