Gjykata Themelore Penale Shkup ka shpallur aktgjykim mbi bazën e marrëveshjes së propozuar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ndaj dy shtetasve të Republikës së Serbisë për veprën penale – “Kontrabandë”, sipas nenit 278 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.
Dy të akuzuarit, më 1 tetor, kanë hyrë në vend përmes pikës kufitare “Bllacë”, duke shmangur kontrollin doganor dhe kanë transportuar mallra akcize të paregjistruara – gjithsej 2,300 kuti (me nga 10 paketa cigare me banderola kosovare, me një vlerë totale prej 3,220,000 denarë.
Cigaret i kishin transportuar me një automjet mallrash në pronësi të një subjekti juridik nga Serbia, të fshehura në bunkerë të improvizuar në rimorkio, duke shmangur kontrollin doganor. Mallrat janë zbuluar nga policia, e cila e kishte vërejtur kamionin dhe e kishte kontrolluar në rrugën “Hristijan Todorovski Karposh” në Shkup, ndërsa në të njëjtin automjet po ngarkoheshin cigare me banderola maqedonase.
Sipas marrëveshjes së arritur dhe të konfirmuar nga Gjykata, të akuzuarve u është shqiptuar një gjobë prej 4,000 euro secilit, të cilën duhet ta paguajnë menjëherë, si dhe dënim dëbimi nga vendi për një periudhë prej pesë vitesh.
Përveç kësaj, janë konfiskuar të gjitha cigaret e kontrabanduara, kamioni me rimorkio, 1,300 euro që kishin me vete në momentin e kryerjes së veprës, si dhe dy telefona celularë.