Dy korsi dhe shteg biçikletash për “Çairçanën”

Përveç kolonave të gjata, në bulevardin “Cvetan Dimov”, i njohur si Çairçanja, problem me lëvizjen kanë edhe këmbësorët pasi trotuari është i zënë nga veturat.

“Qytetarët e Çairit çdo ditë po përballen me këtë kaos trafiku në bulevardin “Cvetan Dimov”. Për zgjidhjen e këtij problemi paralajmërohet projekt nga komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit”, raporton Fazile Halili – TV21.
Edhe para se të jetë projekti gati, kryetari i Shkupit Gjeorgjievski tha se do të fillojnë me shpronësimet e shtegut për të mos humbur kohë. Plani urbanistik, siç tregoi, do të bëhet me zgjerimin e rrugës, ku do të ketë shteg për biçikleta dhe trotuar për këmbësorët.

“Ne shqyrtuam mundësi të tjera edhe në periudhën parazgjedhore, të cilat nënkuptojnë një stil dhe mënyrë pune tjetër për ndërtimin e bulevardit. Nuk është i mundur as nga ana financiare dhe as nga ana e një plani urbanistik më të përgjithshëm. E vetmja rrugëdalje, pra realizimi përfundimtar i “Cvetan Dimov”, është zgjerimi që duhet të bëjmë”, tha Orce Gjeorgjievski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

 

Përveç “Jahja Pashës”, që do të ketë dy korsi të reja, kryetari i Çairit Izet Mexhiti, paralajmëron edhe rregullimin e rrugëve të tjera.

 

“Atë që e kemi premtuar ta bëjmë për katër vite si duket në Çair do t’i realizojmë në vitin e parë. Ju e shihni që vetëm e kemi filluar rrugën “Ferid Murad”, do të fillohet rruga “Makedonska-Kosovska Brigada”, ose “Mit’hat Frashëri”, jemi në përfundim të Dizhonit të rrugicave dhe për ta rregulluar rrugën kryesore të Dizhonit, dhe duke dalë në rrugën “Cvetan Dimov” apo rrugën e “Jahja Pashës” e cila do të shtohet për dy korsi”, tha Izet Mexhiti, Kryetar i komunës së Çairit.

Ndryshe projekti për bulevardin “Cvetan Dimov” pritet të dorëzohet deri në fund të vitit në Qytetin e Shkupit nga komuna e Çairit e më pas nga Qyteti do të shpallin procedurë tenderimi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit