0.8 C
Skopje
Sunday, December 21, 2025

Dritat e festave po kthehen në Tetovë, pas katër vitesh pauzë, qyteti nis zbukurimin e shesheve dhe bulevardeve

Pas katër vitesh, Tetova do të zbukurohet sërish për festat e fundvitit. Këshilli komunal ka miratuar rreth 1.5 milion denarë për dekorimin e Sheshit dhe bulevardeve Iliria dhe Ilinden. Ende nuk dihet nëse për natën e ndërrimit të motmeteve do të ketë koncert në shesh ose jo.

“I tërë bulevardi Iliria gjegjësisht 70 shtylla ndriçuese do zbukurohen dhe gati gjysma e bulevardit Ilinden. Do ketë një bredh në gjatësi prej 10 metrash në sheshin e qytetit si dhe dy figura në shesh ku fëmijët do mund të bëjnë foto. Rreth rrotullimet në zonën qendrore gjegjësisht tre rreth rrotullime do zbukurohen me ndriçim. Nuk kemi diskutuar për këtë pikë, dhe deri tani ajo që dihet është se zbukurimi është kah fundi, ndërsa për koncertin do jenë plotësisht të informuar”, tha Albi Qamili, Këshilli i Tetovës.

Por edhe pse festat po ofrohen dhe zbukurimi i qytetit tashmë ka filluar, nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, kërkojnë maturi dhe mos përdorim të fishekzjarrëve. Alarmojnë edhe për përgjegjësinë ligjore në rast të shkeljeve me përdorim të pushkaliqeve pa njoftim paraprak të policisë.

“SPB Tetovë dhe DPB Gostivar, kanë intensifikuar masat dhe aktivitetet lidhur me personat që merren me tregtimin e mjeteve piroteknike që shpesh keqpërdoren dhe lënë pasoja të rënda tek përdoruesit e sidomos tek fëmijët. Në krahasim me periudhën e kaluar kemi ulje të përdorimit të këtyre mjeteve, sepse më parë përdoreshin gjatë gjithë dhjetorit, ndërsa tani vetëm nga java e fundit, dhe shpresojmë që ky numër edhe më tej të minimizohet. Kështu që apelojmë qytetarët që të shmangin përdorimin e mjeteve të rrezikshme sepse kur bëhet dëmi kthim prapa nuk ka”, tha Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.

Po ashtu nga komuna e Tetovës njoftojnë se në bashkëpunim me Policinë e Tetovës, do të shtohen edhe kontrollet e policisë në dy bulevardet kryesore Ilinden dhe Iliria, me qëllim reduktimin e shkeljeve në komunikacion dhe evitimin e krijimit të bllokimit të rrugëve me ardhjen e mërgimtarëve. Apelojnë që të kihet kujdes me parkimin e makinave dhe shkeljeve në komunikacion sepse patrullat e policisë do të shtojnë kontrollet nëpër qytet./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit