Fondi i Pensioneve dhe Sigurimit Invalidor (PIM) transferon çdo vit rreth 13.7 miliardë denarë, ose mbi 220 milionë euro, në Fondin e Sigurimit Shëndetësor për mbulimin e shpenzimeve të sigurimit shëndetësor të pensionistëve. Këtë e deklaroi drejtori i PIM-it, Nikolla Memov, i cili propozoi që në të ardhmen ky shpenzim të mos financohet nga kontributet pensionale të të punësuarve.
Sipas Memovit, aktualisht PIM ndan 11.8 për qind të pensioneve neto për sigurimin shëndetësor të pensionistëve, ndërsa deri më 31 dhjetor 2025 kjo normë ishte 13 për qind.
“Në nivel vjetor, kjo shumë arrin në 13.7 miliardë denarë, pra mbi 220 milionë euro”, deklaroi Memov.
Ai theksoi se këto mjete sigurohen nga kontributet për sigurimin pensional që paguajnë të punësuarit, duke vlerësuar se ky model paraqet një barrë shtesë për PIM-in.
“Duhet të ketë ndryshim dhe të gjendet një mënyrë tjetër për financimin e sigurimit shëndetësor të pensionistëve, jo siç është tani – nga kontributet e sigurimit pensional”, shtoi ai.
Sistemi pensional në Maqedoninë e Veriut funksionon mbi parimin e solidaritetit ndërgjeneracional, ku kontributet e të punësuarve përdoren për financimin e të drejtave të pensionistëve aktualë. Norma e kontributit për sigurimin pensional dhe invalidor është 18 për qind e pagës bruto, ndërsa për personat që janë pjesë e sistemit me dy shtylla, gjashtë pikë përqindjeje kalojnë në shtyllën e dytë.
Propozimi i Memovit nuk nënkupton uljen e kostos së sigurimit shëndetësor për pensionistët, por ndryshimin e burimit të financimit. Kjo do të mundësonte që një pjesë e mjeteve të mbeteshin në fondin pensional.
Megjithatë, drejtori i PIM-it nuk ka specifikuar ende se nga cili burim tjetër do të siguroheshin rreth 220 milionë eurot që aktualisht ndahen për sigurimin shëndetësor të pensionistëve.






