Doli në dritë vepra e radhës e profesorit dhe veprimtarit të njohur politik, Iljaz Halimi.
Bëhet fjalë për librin e titulluar “Partia Demokratike Popullore – PDP 1990-1997”.
Ky libër paraqet dëshmi që flasin me fakte për punën dhe veprimtarinë e këtij subjekti politik shqiptar që doli në skenë pas mëvetësimit të Maqedonisë, dhe që një nga themeltarët ishte pikërisht autori, përcjell INA.
“Sot për periudhën e veprimit dhe funksionimit të PDP-së nuk flitet pothuajse aspak, nga askush, e më së paku nga studiues, historian e analistë politikë, kur analizojnë rrjedhat historiko-politike, gazetar apo nga mediat e ndryshme që janë më bollëk në këtë hapësirë gjeografike. Thjesht PDP-ja si organizim politik kombëtar dhe si fakt historik është lënë me kast, disi, në harresë, me apo pa dashje!”, thuhet në hyrjen e këtij libri.
Në këtë libër tre vëllimësh përshkruhet në detaje aktiviteti dhe veprimi politik i këtij subjekti që më pas në vitin 1997 ajo u bashkua me Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar (PPDSH), duke u formuar si PDSH (Partia Demokratike Shqiptare).
Iljaz Halimi është një veprimtar i njohur politik i lindur më 07.02.1954 në fshatin Sushicë të komunës së Shtërpcës në Kosovë, ndërsa familja e tij menjëherë pas dy vitesh shpërngulet në Tetovë, për shkak të trysnisë së aparatit shtetëror të Rankoviqit.
Shkollimin fillor e kreu në Tetovë, ndërsa studimet për filozofi-sociologji në Universitetin e Prishtinës. Ai për një periudhë të gjatë ishte profesor në gjimnazin e Tetovës, më pas deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të RMV-së, ish-zëvendësministër i mbrojtjes dhe detyra tjera publike. Ai ka botuar edhe librin “Morfologjia e një kauze kombëtare” me katër vëllime. (INA)