Doktoreshë Fatlume Ferati: Alergjitë pranverore në rritje, apel për kujdes dhe trajtim të duhur

Me ardhjen e pranverës, një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh po përballen me simptoma si teshtima, kruarje të syve dhe rrjedhje të hundës, që lidhen me alergjitë sezonale.

Në një deklaratë për ora24.tv, doktoreshë Fatlume Ferati thekson se këto alergji janë reagim i sistemit imunitar ndaj substancave të padëmshme, siç është poleni.

“Alergjitë pranverore janë reagim i organizmit ndaj polenit dhe faktorëve të tjerë ambientalë, të cilët në këtë periudhë janë më të pranishëm. Simptomat më të zakonshme janë teshtima të shpeshta, hundë e bllokuar ose që rrjedh, si dhe kruarje dhe skuqje të syve”, deklaroi ajo.
Sipas saj, alergjitë shpesh ngatërrohen me ftohjen e zakonshme, por dallimi kryesor është mungesa e temperaturës dhe kohëzgjatja më e madhe e simptomave.

“Alergjia mund të zgjasë për aq kohë sa personi është i ekspozuar ndaj alergjenëve, ndërsa ftohja zakonisht kalon më shpejt dhe shoqërohet me temperaturë”, shtoi doktoreshë Ferati.

Ajo bëri të ditur se më të rrezikuar janë personat me histori familjare të alergjive, por edhe fëmijët dhe të rinjtë preken shpesh. Ndërkohë, ndryshimet klimatike dhe ndotja e ajrit po ndikojnë në rritjen e rasteve çdo vit.
Doktoresha rekomandon që qytetarët të shmangin daljet në orët me përqendrim të lartë të polenit, të mbajnë dritaret e mbyllura gjatë ditëve me erë dhe të kujdesen për higjienën personale pas qëndrimit jashtë.

“Është shumë e rëndësishme që barnat të mos përdoren pa rekomandim mjekësor. Nëse simptomat janë të forta ose zgjasin, duhet patjetër të kërkohet ndihmë profesionale”, apeloi ajo.

Në fund, ajo u bën thirrje qytetarëve që vuajnë çdo vit nga alergjitë të marrin masa parandaluese dhe të konsultohen me mjekun për trajtim të duhur, në mënyrë që të kalojnë një pranverë sa më të qetë./ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit