Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mbahet sonte protesta e 19-të me moton “Jo në emrin tim”, kundër aktgjykimit dënues ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Protestat kanë nisur të organizohen më 16 shtator, pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë, vendim që shkaktoi reagime të shumta në Kosovë.
Kërkesa kryesore e protestuesve është miratimi sa më i shpejtë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Protesta e sontme zhvillohet në prag të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për të hënën, më 5 tetor, në orën 09:00. Në rendin e ditës, pika e parë është shqyrtimi i parë i këtij projektligji.
Para fillimit të seancës plenare, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion do ta shqyrtojë projektligjin.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës vlerësoi se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas nismës së PDK-së, projektligji parasheh ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë edhe mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, si dhe mundësinë që dënimet të vuajtën në Kosovë.
Një tjetër ndryshim i propozuar është që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Shqyrtimi i projektligjit në Kuvend po zhvillohet në një periudhë të ndjeshme politike për vendin, pasi institucionet po i afrohen fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, pas konstituimit të Kuvendit, dhe përfundon më 6 tetor.
Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në këtë datë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Kësisoj, seanca e së hënës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara zhvillohet vetëm një ditë para përfundimit të këtij afati kushtetues.






