Dimitrieska-Koçoska: Gjysmën e mjeteve të paguara për tatimin e solidaritetit do ta kthejmë në mars, kjo qeveri po kthen mjetet e shpenzuara nga qeveria e mëparshme

Shkup, 26 shkurt – Kompanitë që në vitin 2023 kanë paguar mjete në buxhet në bazë të Ligjit të Tatimit të Solidaritetit, në muajin mars të këtij viti do ta marrin gjysmën e mjeteve të paguara.

Kjo u bë e ditur nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare në seancën e sotme në Kuvend.

“Siç paralajmëruam, gjysma e 3 miliardë denarëve të paguara do të kthehen në muajin mars. Procesi për organizimin e procedurës së përgjithshme ishte i vështirë, por Ministria e Financave ishte transparente dhe në komunikim të vazhdueshëm me sektorin privat. Duhej të vendosej komunikim me të gjitha kompanitë, prandaj fillimisht vendosëm të komunikojmë me odat ekonomike, ku diskutuam për qëndrimet dhe propozimet tona, e më pas të përcaktojmë një qëndrim të përbashkët. Në muajin gusht të vitit 2025, Qeveria na ngarkoi neve si Ministri e Financave që t’u dërgojmë shkresa zyrtare të gjitha 156 kompanive, me kërkesë që të prononcohen lidhur me modelin e kthimit të mjeteve. Propozimi ynë ishte që kthimi të realizohet në dy këste: kësti i parë në muajin mars të vitit 2026, ndërsa kësti i dytë në muajin mars të vitit 2027, propozim ku pjesa më e madhe e kompanive e kanë pranuar”, tha ministrja e Financave.

Ajo sqaroi se nuk është e rastësishme që është zgjedhur muaji mars për realizimin e procesit të kthimit, por sepse në atë periudhë parashtrohen llogaritë e përfunduara dhe paguhet tatimi mbi fitimin dhe duke marrë parasysh se tatimi i solidaritetit ka karakter të njëjtë, ku qëllimi ishte që të përkonte me periudhën kur kompanitë mund t’i kompensojnë detyrimet e tyre.

Ajo theksoi se është sjellë vendimi për përgatitjen e ndryshimeve dhe plotësimeve të rregullores për formën dhe përmbajtjen e formularit për kërkesën e kthimit të tatimit të paguar tepër ose të paguar gabimisht, së bashku me udhëzimet për plotësimin e tij dhe që veçmë është miratuar dhe i publikuar në “Gazetën Zyrtare”, ku kompanitë mund të parashtrojnë kërkesa te Drejtoria e të Ardhurave Publike.

Ministrja rikujtoi se ligji është miratuar në vitin 2023 dhe se më 5 shkurt 2025, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi atë, ku theksoi se u krijua një situatë në të cilën, përmes një ligji jokushtetues, u mblodhën mjete që më pas u shpenzuan, ndërsa sot, Qeveria aktuale po i kthen ato.

“Është fakt se nga sektori privat u mblodhën 3 miliardë denarë me ligjin për të cilin dihej se do të shfuqizohej. Është fakt se këto mjete u shpenzuan, duke lënë detyrime serioze që sot kjo Qeveri po i shlyen. Ishte e qartë se propozuesit e dinin se do t’i humbnin zgjedhjet në vitin 2024 dhe se dikush tjetër do të duhej të kujdesej për kthimin e mjeteve”, theksoi ministrja, duke theksuar se kjo Qeveri në asnjë moment nuk ka marrë vendime ad hoc, të pakoordinuara me sektorin privat, dhe as nuk ka ndërmarrë masa që do t’i ngarkonin në mënyrë shtesë kompanitë apo qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit