I ftohti ekstrem ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar kaos në dhjetëra shtete dhe duke vënë autoritetet në gjendje gatishmërie. Temperaturat kanë rënë në nivele rekord, me -23 gradë Celsius në Nju Jork dhe deri në -46 gradë në Rrafshnaltat Veriore, ndërsa rreth 40 shtete janë nën paralajmërim për mot të rrezikshëm dimëror.

Sipas parashikimeve meteorologjike, stuhia pritet të prekë deri në 150 milionë njerëz, ndërsa nëse llogaritet edhe efekti i të ftohtit ekstrem, numri i të prekurve mund të arrijë deri në 220 milionë banorë.
Reshje të dendura dëbore dhe akulli po godasin tashmë Teksasin veriperëndimor dhe Oklahomën, ku rreth 24 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Në Çikago, temperaturat zbritën në -27 gradë Celsius, duke rritur shqetësimet për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.
Të paktën 12 shtete kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, përfshirë Arkansasin, Xhorxhian, Teksasin, Karolinën e Veriut dhe Karolinën e Jugut. Në disa zona është vënë në gatishmëri edhe Garda Kombëtare, për të ndihmuar në përballimin e situatës.
Moti i ashpër ka paralizuar edhe trafikun ajror. Më shumë se 10 mijë fluturime janë anuluar, ndërsa aeroporti Dallas–Fort Worth, një nga më të ngarkuarit në vend, ka shënuar mbi 1,200 anulime vetëm gjatë fundjavës.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, deklaroi se shteti ka mobilizuar mbi 1,600 borëpastruese dhe 114 mijë ton kripë, duke paralajmëruar se stuhia do të prekë çdo cep të shtetit.
Meteorologët e Shërbimit Kombëtar të Motit e cilësojnë këtë si një stuhi historike, për shkak të shtresave të gjera të akullit që pritet të shkaktojnë dëme serioze në infrastrukturë. Pamjet nga shumë qytete tregojnë qytetarë që furnizohen me produkte bazë, ndërsa raftet në dyqane po zbrazën me shpejtësi.



