29.8 C
Skopje
Monday, September 22, 2025

Dimal Basha merr timonin e Kuvendit, serbët mbesin pa nënkryetar

Kuvendi i Kosovës ka arritur pjesërisht të konstituohet në seancën e së martës, ku deputetët zgjodhën kryeparlamentarin dhe katër nënkryetarët, por procesi ngeci te votimi për përfaqësuesin e komunitetit serb.

Me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit. Pavarësisht votës pro, PDK, AAK dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kritikuan përzgjedhjen e tij, duke thënë se nuk është i denjë për këtë pozitë.

Në fjalimin e tij të parë, Basha theksoi se Kuvendi duhet të jetë “zemra e demokracisë”:
“Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin se liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Pres debate të hapura, por edhe respekt për njëri-tjetrin. Kosovën e kemi të përbashkët.”

Nënkryetarët shqiptarë dhe nga pakicat joserbe

Deputetët zgjodhën për nënkryetarë Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, ndërsa nga radhët e pakicave joserbe u konfirmua Emilja Rexhepi. Sipas marrëveshjes, ajo do të rotacionohet më vonë me Fidan Jilltanin dhe Artan Asllanin.

Bllokada te kandidati serb

Procesi ngeci kur në votim u fut kandidati i Listës Serbe, Sllavko Simiq. Ai u propozua tri herë, por nuk mori 61 votat e nevojshme. Kryetari Basha theksoi se kandidimi i tij bie ndesh me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që ndalon më shumë se tri kandidime. Lista Serbe kundërshtoi këtë interpretim, duke argumentuar se vendimi vlen vetëm për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Në vazhdim, përmes shortit u propozuan edhe Verica Qeraniq, Stefan Kovaçeviq dhe Nenad Rashiq. Dy të parët nuk morën mbështetje, ndërsa Rashiq siguroi vetëm 55 vota, duke mos arritur shumicën e nevojshme.

Çfarë pritet më tej?

Njohës të politikës e kanë cilësuar procesin jokushtetues, pasi sipas tyre votimi për nënkryetarët nga pakicat nuk mund të ndahet. Derisa të zgjidhen të pesë nënkryetarët, Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar dhe nuk nis afati ligjor për formimin e Qeverisë.

Seanca e radhës do të mbahet të enjten në orën 11:00, ku pritet të ketë përpjekje të reja për finalizimin e konstituimit.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit