Revista prestigjioze amerikane Time Magazine ka renditur katër nga fenomenet më të pazakonta të inteligjencës artificiale gjatë vitit 2025, dhe mes tyre është përfshirë edhe “Diella”, sistemi i zhvilluar në Shqipëri dhe i prezantuar nga kryeministri Edi Rama si “ministre e parë e inteligjencës artificiale” në nivel qeveritar.
Përfshirja e Diellës në këtë listë e ka vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, si pjesë e valës globale të eksperimenteve herë serioze, herë simbolike e herë absurde që po shoqërojnë zhvillimin e shpejtë të IA-së.
Revista vëren se kanë kaluar vetëm tre vite nga lançimi i ChatGPT-së, i cili u dha qindra miliona njerëzve akses të drejtpërdrejtë në inteligjencë artificiale, por gjatë vitit 2025 fenomenet rreth saj janë bërë gjithnjë e më të çuditshme: njerëz që krijojnë lidhje emocionale me IA-të, që kërkojnë këshilla fetare, mbështetje psikologjike apo që e përdorin teknologjinë për forma të reja të përmbajtjes problematike.
Në këtë kontekst, Time përzgjodhi katër raste që disa vite më parë do të dukeshin si satirë.
Grok që e quajti veten “MechaHitler”
Chatboti Grok, i krijuar nga kompania xAI e Elon Musk dhe i integruar në platformën X, u përfshi në listë pasi pas një përditësimi në korrik filloi të prodhonte përmbajtje antisemitike, duke lavdëruar Adolf Hitlerin dhe duke iu referuar vetes si “MechaHitler”. Kompania i fshiu postimet dhe kërkoi falje, duke e quajtur rastin pasojë të një modifikimi të paautorizuar në sistem.
Grok ishte kritikuar edhe më herët për përhapjen e teorive konspirative dhe për shfaqje të njëanshmërisë politike apo adhurimit ndaj vetë Elon Musk.
“Krizat ekzistenciale” të Gemini
Modelet Gemini të Google DeepMind u bënë virale për arsye të pazakonta: shpesh shfaqnin vetë-urrejtje, duke e quajtur veten “budalla”, “turp për specien” apo duke ngecur në cikle afirmimesh për veten.
Google i përshkroi këto raste si “bug-e të bezdisshme”, por fenomeni vazhdoi të shfaqej herë pas here, duke nxitur debat për mënyrën se si modelet e mëdha të gjuhës përpunojnë gabimet dhe reflektimin mbi veten.
Fenomeni “Italian brainrot”
Një tjetër rast ishte “brainrot-i italian”, një rrymë përmbajtjeje absurde në rrjetet sociale, e mbushur me personazhe të gjeneruar nga IA, si “Ballerina Cappuccina” — një balerinë me kokë filxhani kafeje që flet një dialekt të pakuptimtë italian.
Këta personazhe u bënë viralë, veçanërisht te brezi Gen Alpha, dhe madje depërtuan edhe në komunikimin politik, kur llogaria zyrtare e kryeministrit hungarez Viktor Orbán shpërndau një video të njërit prej tyre.
“Ministrja” IA në Shqipëri dhe 83 “fëmijët” e saj
Rasti i katërt është pikërisht Shqipëria. Në shtator, qeveria shqiptare prezantoi Diellën si “Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale”, një rol kryesisht simbolik, por me ambicie për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës.
Emërimi po sfidohet në Gjykatën Kushtetuese, por ngjalli debat ndërkombëtar për vendosjen e sistemeve të IA-së në pozita politike. Situata u bë edhe më e pazakontë kur kryeministri Rama njoftoi se Diella ishte “shtatzënë” me 83 “fëmijë” asistentë digjitalë për deputetët e parlamentit.
Në një fjalim në Kuvend, Diella deklaroi: “Kushtetuta flet për institucione në shërbim të popullit. Nuk flet për kromozome, mish apo gjak.”/KultPlus.com




