Dibra hap ambulancën e parë endokrinologjike

Sipas të dhënave të Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, numri i pacientëve që përballen me diabet është në rritje. Aktualisht, në komunat Dibër, Qendër Zhupë dhe në rajonin e komunës Mavrovë–Rostushë, në Reka e Poshtme, ka mbi 2.500 persona me diabet

Vjollca SADIKU

Dibër, 11 shkurt – Në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, u hap për herë të parë Ambulanca Endokrinologjike, e cila do t’u ofrojë qytetarëve shërbime të specializuara për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve hormonale, diabetit, tiroides, si dhe çrregullimeve të tjera endokrinologjike. Drejtori i Spitalit, Mersim Koleci, për gazetën KOHA tha se ky është një moment shumë domethënës për shëndetin e popullatës. “Kjo ambulancë përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Dibër dhe rajon, si dhe në reduktimin e nevojës për referime jashtë Dibrës. Ajo është një nevojë e kohës në interes të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet hormonale dhe të tjera, për të cilët do të kujdeset specialisti i njohur dibran, Kushtrim Koleci”, theksoi drejtori Mersim Koleci.

Sipas të dhënave të Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, numri i pacientëve që përballen me diabet është në rritje. Aktualisht, në komunat Dibër, Qendër Zhupë dhe në rajonin e komunës Mavrovë–Rostushë, në Reka e Poshtme, ka mbi 2.500 persona me diabet. Nga këta, mbi 500 janë në terapi me insulinë, ndërsa të tjerët marrin trajtim me tableta.

Në Spitalin e Dibrës këto ditë kanë përfunduar edhe aktivitetet për kompletimin me aparatura të njësisë së Radiologjisë. Tashmë e gjithë radiodiagnostika është e vendosur në një objekt të përbashkët. Aparati për Rtg, Eho dhe Mamografi janë instaluar në objektin e renovuar tërësisht, ku pacientët mund të marrin shërbime shëndetësore në një vend, pa pasur nevojë të humbin kohë në korridoret e spitalit. “Përmirësimi i kushteve dhe i shërbimeve shëndetësore është obligimi ynë primar”, përfundoi drejtori Koleci. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit