Policia ka reaguar pas një incidenti të dhunshëm të ndodhur para Shkollës Fillore “Dituria” në Saraj të Shkupit, transmeton TV21. Sipas njoftimit të MPB-së, rreth orës 12:00 të datës 12 dhjetor, gjashtë nxënës kanë sulmuar fizikisht dy nxënës të klasës së nëntë para objektit shkollor. Rasti u publikua edhe në rrjetet sociale, ndërsa Ministria e Brendshme menjëherë ndërmori masa për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Me prindërit dhe nxënësit e dëmtuar janë zhvilluar biseda zyrtare, ndërsa mjeku ka konstatuar lëndime të rënda trupore tek njëri prej nxënësve dhe lëndime trupore tek tjetri. Janë identifikuar autorët e dyshuar, të moshës 13 deri në 15 vjeç, dhe gjatë ditës së sotme të gjashtë janë thirrur në stacion policor. Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria dhe, pas dokumentimit të plotë, ndaj të dyshuarve do të ngrihet kallëzim penal për veprën penale “dhunë”./TV21





