Gazetare: Melihate Rustemi
Dhuna mes të miturve nuk paraqet shqetësim vetëm për prindërit por edhe institucionet përkatëse që veprojnë në parandalimin e rasteve të këtilla. Nga Qendra për Punë Sociale thanë për Alsat se Shërbimi për fëmijët në rrezik dhe fëmijët në konflikt me ligjin posedon një ekip ekspertësh me psikolog, pedagog, punonjës social dhe jurist të cilët veprojnë në bazë të informacioneve ose kërkesave të MPB-së, gjykatës, prokurorisë, shkollës dhe institucioneve të tjera por edhe me kërkesë të qytetarëve dhe prindërve.
“Me marrjen e një kërkese, ekspertët ndërmarrin menjëherë veprime, duke ftuar prindërit dhe fëmijët e mitur në një konsultë këshillimore profesionale në ambientet e Qendrës. Sipas moshës së fëmijës, sipas Ligjit, për një fëmijë në rrezik deri në 14 vjeç, zbatohen masat e ndihmës dhe mbrojtjes, të cilat zgjasin nga 6 muaj deri në një vit. Masat e ndihmës dhe mbrojtjes kuptohen si një bisedë këshillimore profesionale me prindërit dhe fëmijën, ku jepen udhëzime për të ndryshuar sjelljen e fëmijës. Njëkohësisht, pas vlerësimit të ekipit, mund të përgatitet një vendim për mbikëqyrjen e të drejtave prindërore”, tha Elizabeta Manevska, Qendra për Punë Sociale.
Manevska tha se në rastin kur fëmija është mbi 14 vjeç, gjykata mund të shqiptojë masa edukative, mbikëqyrje të shtuar nga prindërit ose mbikëqyrje të shtuar nga qendra, dhe zbatimi i tyre bëhet në qendrën për punë sociale.
“Masa edukative për mbikëqyrje të shtuar nga Qendra, me urdhër të gjykatës, zgjat nga një deri në tre vjet, derisa të përfundojë dhe të shihet se fëmija ka dalë nga e gjithë situata në të cilën ndodhej kur lindi problemi. Nëse fëmija shpallet fajtor për krime të shumëfishta, një, dy ose tre, gjykata mund të shqiptojë një masë edukative të referimit në Institucionin Edukues dhe Korrektues – Tetovë dhe Burgun e të Miturve në Ohër ose në shtëpi të vogla në grupe me vendim gjykate”, shtoi Elizabeta Manevska, Qendra për Punë Sociale.
Rasti i fundit i dhunës mes të miturve ndodhi më 20 qershor në Shkup kur një grup vajzash të mitura sulmunan fizikisht një vajzë 11-vjeçare nga Çairi. Sipas raportit të MPB-së, vajza është sulmuar nga tre bashkëmoshatare, ndërsa një tjetër ka filmuar ngjarjen me telefon dhe videoja është shpërndarë në rrjetet sociale. Sipas policisë, rasti është denoncuar në polici më 1 shtator nga babai i vajzës i cili ka deklaruar se për ngjarjen është informuar nga rrjetet sociale, pasi vajza nuk ka treguar nga frika se dhuna do të përsëritet. Policia më tej bën të ditur se të miturat e përfshira e në këtë ngjarje dhe prindërit e tyre tashmë janë thirrur në SPB-Shkup dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime për veprat penale “dhunë” dhe “filmim i paautorizuar”. /Alsat.mk