Deputetja e koalicionit VLEN, Valbona Adili Emini, në një reagim publik me rastin e 14 Nëntorit – Ditës Botërore të Diabetit, ka theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe edukimit shëndetësor për këtë sëmundje që prek miliona njerëz në mbarë botën.
Ajo kujtoi se kjo ditë shërben si një mundësi për të rritur vetëdijen rreth ndikimit të diabetit në shëndetin e njerëzve, si dhe për të forcuar përpjekjet në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes.
Sipas deputetes, ndarja e informacionit dhe përhapja e njohurive janë thelbësore për të krijuar ndryshime të qëndrueshme që përmirësojnë cilësinë e jetës së njerëzve që jetojnë me diabet.
Adili Emini theksoi disa nga pikat kryesore të parandalimit:
Diabeti i tipit 1 nuk mund të parandalohet.
Diabeti i tipit 2 shpesh mund të parandalohet përmes ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik, mbajtjes së peshës normale dhe shmangies së duhanit.
Lënia e duhanit ul rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 me 30–40%.
Ajo paralajmëroi se diabeti mbetet një shkak kryesor i verbërisë, dëmtimit të veshkave, sëmundjeve kardiovaskulare, goditjes në tru dhe amputimeve të gjymtyrëve të poshtme.
Një tjetër shqetësim është edhe lidhja e diabetit me tuberkulozin (TB), me të prekurit që kanë dyfishin e rrezikut për vdekshmëri gjatë trajtimit, si dhe dyfish më shumë gjasa për rikthim pas shërimit.
Deputetja nënvizoi rëndësinë e trajtimit dhe kontrolleve të rregullta, duke theksuar se diabeti mund të menaxhohet me terapi adekuate si tabletat, insulina dhe monitorimi i vazhdueshëm mjekësor, përfshirë kontrollin e syve, veshkave dhe këmbëve.
Ajo shtoi se kohët e fundit vihet re një rritje e rasteve tek moshat e reja, kryesisht tek të rinjtë me mbipeshë dhe obezitet, duke e lidhur këtë trend me Sindromin Metabolik, i cili po bëhet një nga sfidat kryesore shëndetësore.
Deputetja Adili Emini përfundoi duke bërë thirrje për më shumë kujdes, edukim dhe veprime konkrete për të parandaluar këtë sëmundje që shpesh vjen si pasojë e stilit të jetesës moderne.





