Deputetët e opozitës nga LSDM sot e braktisën seancën e Kuvendit, në të cilën po zhvilloheshin pyetjet parlamentare të opozitës, pasi koordinatori i grupit parlamentar, Oliver Spasovski, drejtoi kritika ndaj pushtetit, përkatësisht ndaj disa ministrave, se nuk janë të pranishëm në seancë, si dhe lidhur me Rezolutën për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe për konfirmimin e politikave kundër migracionit ilegal, të propozuar nga koalicioni qeverisës.
– Së pari, lidhur me pyetjet parlamentare, shohim se praktikisht nuk janë të pranishëm ata të cilëve duhet t’u drejtohen këto pyetje. Grupi parlamentar i LSDM-së kërkoi që të ishte i pranishëm kryeministri; për arsye të justifikuara ai nuk është këtu, megjithatë sipas Rregullores kishte të drejtë të caktonte një zëvendës. Dje, në koordinim, u dakorduam që të dorëzojmë një listë të re. Në listën e re vendosëm dy ministra, ministrin e Ekonomisë dhe ministrin e Mjedisit Jetësor. Ata nuk janë këtu. Pra, nuk ka qëllim të mbahen pyetje parlamentare të opozitës kur ata që duhet të pyeten nuk janë të pranishëm, ndërkohë që janë të obliguar të jenë këtu dhe të përgjigjen para Kuvendit të popullit, tha Spasovski.
Ai bëri vërejtje edhe për afatin në të cilin është dorëzuar Ligji për Këshillin Gjyqësor, për të cilin tha se opozita e mbështet, si dhe lidhur me Rezolutën, me të cilën, sipas tij, dënohet opozita, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur në demokracinë parlamentare.
– Sado e brishtë të jetë ajo demokraci, do ta kuptonim një propozim të tillë në vitin 1990. Në vitin 2025, një rezolutë me të cilën dënohet opozita është absolutisht e papranueshme. Së dyti, një rezolutë me të cilën i shpallni të pavlefshme të gjitha vendimet e Qeverisë, dhe në këtë mënyrë edhe këto që ndoshta janë marrë deri tani dhe kanë të bëjnë me krizën e migrantëve, përfshirë edhe këtë që është sot në rend dite, që me propozim të Qeverisë të shpallet sërish gjendje krize – kjo është një vendim i pavlefshëm. Dhe mbi bazën e një vendimi të pavlefshëm, ju doni të merrni një vendim të ri të Kuvendit, tha Spasovski, duke shtuar se grupi parlamentar i LSDM-së nuk do të marrë pjesë në punën e kësaj seance.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se pyetjet parlamentare të opozitës janë pikërisht mundësia që opozita të kërkojë përgjigje nga Qeveria dhe nënvizoi se është e nevojshme të përmirësohet raporti i Qeverisë me Kuvendin.





