Deputetët e Grupit Parlamentar të BDI-së kanë nënshkruar dhe mbështesin rezolutën për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës, ka njoftuar Mevlan Ademi, njëri nga inicuesit e peticionit për mbajtjen e Provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA.
Ademi i ka ftuar publikisht edhe deputetët tjerë t’i bashkangjiten kësaj nisme. Sipas Ademit, zbatimi i Ligjit për gjuhën shqipe është detyrim kushtetues dhe ndaj qytetarëve.
‘’Ftojmë edhe deputetët e tjerë që nuk iu përgjigjën ftesës sonë t’i bashkohen kësaj nisme. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i gjuhës shqipe nuk është çështje politike, por detyrim ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve.Gjuha shqipe është e drejtë e garantuar, dhe duhet të zbatohe’’, ka shkruar Mevlan Ademi në profilin e tij në Facebook.
Ndërkohë, edhe deputetët Rijad Shaqiri dhe Halil Snopçe i janë bashkuar mbështetjes për Rezolutën që kërkon zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës.
Me këtë qëndrim, ata theksojnë se ligji duhet të zbatohet në praktikë dhe se çdo formë diskriminimi ndaj gjuhës shqipe nuk mund të tolerohet më.
Mbështetja e tyre përforcon kërkesën për respektim të ligjshmërisë dhe barazi reale të gjuhës shqipe në institucionet e vendit, shkruan studenti Mevlan Ademi.
Ndryshe, ditë më parë, Rezolutën e mbështetën edhe deputetët e ASH-Sela. (koha.mk)



