17.8 C
Skopje
Sunday, October 12, 2025

Dënojmë ashpër veprimet e papërgjegjshme dhe joetike të disa mediave të huaja në raportimin për ngjarjen tragjike në Koçan

Qeveria shpreh dënimin e saj më të ashpër dhe të qartë ndaj veprimeve të papërgjegjshme dhe joetike të disa mediave të huaja, të cilat, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për respektimin e gazetarisë etike, sot e kanë tejkaluar çdo kufi të humanitetit dhe dinjitetit në raportimin për varrimin tragjik në Koçan.

Në një kohë kur integriteti, saktësia dhe përgjegjësia duhet të jenë baza e raportimit, jemi dëshmitarë të mosrespektimit të këtyre parimeve. Sensacionalizmi dhe tendenca për fotografi dhe tituj tronditës, që tërheqin vëmendjen dhe vendosen mbi të vërtetën, degradojnë vetë esencën e gazetarisë. Kjo jo vetëm që është e papranueshme, por është edhe thellësisht e dëmshme për publikun e gjerë, dhe mbi të gjitha për individët dhe familjet e prekura nga kjo tragjedi e madhe. Shfrytëzimi i një momenti zie dhe dhimbjeje për spektakël është i dënueshëm.

Edhe një herë i bëjmë thirrje të gjitha mediave që të respektojnë standardet më të larta të raportimit profesional dhe të tregojnë respekt për dhimbjen dhe dinjitetin e individëve të prekur.

E drejta për informim kurrë nuk duhet të vijë me koston e mirësjelljes themelore njerëzore. Do të vazhdojmë të presim raportim të përgjegjshëm që i shërben interesit publik. Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe lirisë së mediave, por nuk do të heshtë përballë praktikave joetike që cenojnë parimet e ndershmërisë dhe respektit. I bëjmë thirrje organizatave relevante ndërkombëtare të medias ta vënë re këtë çështje dhe ta ndalin këtë trend të rrezikshëm përpara se të dëmtohet më tej besimi i publikut.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit