Në zgjedhjet e 11 janarit që do të mbahen në disa komuna të Maqedonisë së Veriut, do të marrë pjesë edhe Zulhajrat Demiri – Zuli në garën për Komunën e Vrapçishtit, transmeton Portalb.mk.
“Aleanca për Shqiptarët mbështet kandidaturën e Zuli Demirit, për Kryetar të Komunës së Vrapçishtit, në zgjedhjet e 11 Janarit. Duke besuar në personalitetin, përgaditjen dhe aftësitë e dëshmuara deri më tani, si një personalitet i formuar, njeri besnik dhe punëtor, menaxhues i suksesshëm në përgjegjësitë që ka bartur deri më tani, jemi të bindur se me të njëjtin përkushtin dhe sukses do të menaxhojë edhe këtë detyrë të re”, njoftoi Aleanca për Shqiptarët që udhëhiqet nga Ziadin Sela.
Koalicioni VLEN sot njoftoi se do të mbështet Demirin.
“Në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, koalicioni VLEN njofton opinionin se Zulhajrat Demiri, i cili garon si kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, do të ketë mbështetjen e plotë të koalicionit në këtë proces zgjedhor”, njoftoi VLEN-i, duke shtuar se “bashkëpunimi me një kandidat të pavarur, me integritet të
lartë dhe vizion të qartë, është rruga e duhur për t’i hapur komunës perspektiva të reja dhe për t’i kthyer qytetarët në qendër të vendimmarrjes”.
Kryetari aktual i Komunës së Vrapçishtës, Isen Shabani, para disa ditëve e ka shpallën kandidaturën për zgjedhjet e 11 janarit.
“Dorëzova zyrtarisht kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Vrapçishtit për zgjedhjet lokale të 11 Janarit, së bashku me aktivin politik të Aleancës Kombëtare për Integrim. Me punën dhe angazhimin tonë, kemi ndërtuar një drejtim të qartë dhe një vizion që synojmë ta vazhdojmë edhe më fuqishëm, me zhvillim, transparencë dhe rezultate të prekshme për qytetarët”, deklaroi Shabani.
Në rundin e parë në Gostivar i pari doli Valbon Limani nga AKI-ja me 61.39 përqind të votave, ndërsa në Vrapçisht ishte Isen Shabani nga AKI-ja me 88.13 përqind, por aty dalja e votuesve ishte vetëm 25.18 përqind.
Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Kutitë e votimit u hapën në ora 07.00 dhe u mbyllën në ora 19:00. Zgjedhjet lokale të këtij viti janë të parat në të të cilat reflektohen ndryshimet demografike të shfaqura nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021.





