Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga deputetja Blagica Lasovska, përfshirë edhe deputetin Sadik Sulejmani, mori pjesë aktive në Asamblenë e 65-të të Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK). Qëllimi i Asamblesë së Përgjithshme është promovimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në fushat e infrastrukturës së transportit, digjitalizimit, stabilitetit energjetik dhe inkluzivitetit.
Asambleja e Përgjithshme mbahet më 17 dhe 18 qershor në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ndërsa si i ftuar special, mori pjesë edhe kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ndodhet gjithashtu në një vizitë zyrtare dypalëshe në Azerbajxhan. Seanca u mbajt në Sallën Plenare të Mili Mexhlisit të Republikës së Azerbajxhanit.
Në kuadër të debatit të përgjithshëm me temën “Forcimi i lidhshmërisë dhe përmirësimi i mobilitetit në rajonin e PABSEK përmes infrastrukturës së transportit inteligjente dhe të qëndrueshme”, shefja edelegacionit, deputetja Bllagica Llasovska, theksoi se lidhshmëria nuk paraqet vetëm infrastrukturë, por urë midis popujve, kulturave dhe vlerave.
“Bashkëpunimi rajonal është një sfidë, por edhe detyra jonë. Maqedonia e Veriut po investon në Korridorin VIII si një bosht vital transporti midis Adriatikut dhe Detit të Zi”, nënvizoi Lasovska.
Ajo e theksoi rëndësinë e lidhjes intermodale dhe digjitalizimit si parakusht për rritje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse. Ajo nënvizoi se parlamentet duhet të ofrojnë një kornizë ligjore transparente dhe mbështetje për investimet në infrastrukturën moderne, gjë që do të forcojë rolin e tyre si bartës të prosperitetit.
Siç bënë të ditur nga Kuvendi, për punën e saj të përkushtuar dhe kontributin afatgjatë brenda PABSEK, deputetja Bllagica Llasovska u vlerësua me Medaljen e Nderit të PABSEK, të dhënë nga kryetarja e Mili Mexhlisit dhe kryetare e PABSEK, Sahiba Gafarova.
Gashi, i cili është në cilësinë e mysafirit special, theksoi se PABSEK është platformë kyçe për dialog dhe ndërtim të urave të miqësisë.
“Si shtet që aspiron integrimin evropian, Maqedonia e Veriut e sheh PABSEK si partner për paqe, stabilitet dhe zhvillim të përbashkët. Ne doemos duhet ta inkurajojmë bashkëpunimin bazuar në transparencë, inkluzivitet dhe respekt të ndërsjellë”, tha Gashi.
Nga Kuvendi informojnë se në kuadër të agjendës së punës, u miratuan disa raporte dhe rekomandime të rëndësishme nga komisionet e përhershme, duke përfshirë: “Drejt një të ardhmeje më të gjelbër: Bashkëpunimi për zgjidhje teknologjike në rajonin e Detit të Zi”; “Bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar në rajonin e PABSEK”; “Strategjitë moderne për arsimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara”.
“Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme, delegacioni zhvilloi kontakte të rëndësishme me përfaqësues të parlamenteve të tjera, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë. Gjatë Asamblesë, kryesimi i PABSEK iu dorëzua nga Azerbajxhani Bullgarisë, e cila do të marrë përsipër kryesimin nga 1 korriku 2025”, thuhet në kumtesën e Kuvendit.
Siç është bërë e ditur, si pjesë e programit kulturor, anëtarët e Kuvendit, do të vizitojnë nesër qytetin e Shushës dhe rajonin Fizuli, ku do të kenë mundësinë të mësojnë rreth historisë, kulturës dhe rikonstruktimit të paskonfliktit të rajonit.





